Këta janë mjekët që nuk arritën të bëhen deputetë të Kuvendit

Pothuajse të gjitha partitë në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit kanë pasur edhe mjekë. Ekrem Hyseni, Ardian Shala, Haxhi Avdyli e Arbër Tolaj dhe një numër të tjerësh jo i vogël kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në bazë të disa rezultateve që janë publikuar në medie, mandatin e deputetit e ka fituar neurokirurgu Haxhi Avdyli, onkologu i QKUK-së Ekrem Hyseni dhe kardiologu në Spitalin e Prizrenit, Ardian Shala.

Nga koalicioni AAK – PSD drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Arbër Tolaj, do të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës, ish-deputetja dhe doktoresha Time Kadrijaj, si dhe ish-ministri i Infrastrukturës, i cili më herët ka qenë edhe mjek, Pal Lekaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje pozitën e deputetes e ka marrë edhe një herë Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ish-deputete dhe doktoreshë, ish-drejtori i shëndetësisë në Prishtinë Arben Vitia dhe ish-anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Drita Millaku.

Nga Partia Demokratike e Kosovës në ulëset e Kuvendit të Kosovës do të jetë ministri në largim i Shëndetësisë Uran Ismaili dhe ish-anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu.

Shumë mjekë, të cilët gjatë fushatës zgjedhore premtuan se do të kontribuojnë në fushën e shëndetësisë, nuk kanë marrë besimin e qytetarëve, rrjedhimisht sipas rezultateve të publikuara deri tani nuk kanë arritur të bëhen deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Mandatin e deputetit nuk ka arritur ta sigurojë Hysni Gërguri, Ukë Berisha, drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK Ilir Kurtishi, Fakir Spahiu, drejtor në Klinikën e Mjekësisë Nukleare, Hatim Baxhaku, Naser Rugova, si dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ihmet Rrahmani.

Po ashtu as Besa Baftiu, e cila në legjislaturën e kaluar ishte kryetare e Komisionit për Shëndetësi, nuk ka arritur të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputete./ZERI

SHPËRNDAJE