Këto janë arsyet e dështimit të PDK-së në garën për kryetar të Kamenicës

Fraksionet, grindjet e përçarjet në PDK dhe keqqeverisja katërvjeçare e Komunës e quan këtë parti drejt një katastrofe elektorale.

Kështu vlerëson Amir Jakupi në një tekst autorial. Sipas tij, kryetari i degës, Emin Krasniqi dhe kryetari aktual i Komunës, Begzad Sinani, kanë zgjedhur të heshtin duke e pranuar rezultatin tronditës.

“Kandidati për kryetar Kujtim Gashi, i cili ka nisur të kryqëzohet nga qarqe të caktuara të partisë, nuk është fajtori për humbjen. Kushdo që të kandidohej nuk do te mund ta ndryshonte rezultatin e kësaj partie. Gashi, një figurë pa njolla dhe e respektuar në Kamenicë mori një përgjegjësi në momentin më të gabuar. Edhe gjatë përballjes në studiot televizive u gjend në një pozicion të vështirë mes distancimit nga keqqeverisja dhe pranimit të ‘sukseseve’ te këtij mandati qeverisës”, thekson Jakupi.

Jakupi në fund pyet se kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë humbje të madhe?

“Këto zgjedhje do të vënë në diskutim të gjithë strukturën e partisë. PDK-së i duhet një analizë e thellë dhe zgjedhje të menjëhershme brendapartiake”, shprehet Jakupi.

Lajmi.net ka kontaktuar me kandidatin për kryetar të Komunës së Kamenicës nga PDK, Kujtim Gashin i cili përmendi disa arsye që qytetarët e penalizuar në këto zgjedhje.

Gashi tha se struktura aktuale e partisë në Kamenicë nuk është në nivelin e duhur, nuk ka punuar sa duhet dhe konsideron se duhet reformim rrënjësor.

“Një prej elementeve që ne jemi ndëshkuar është qeverisja aktuale, që ka qenë për katër vitet e fundit. Konsideroj se strukturat e partisë në nivelin lokal nuk kanë qenë në nivelin duhur, edhe në zgjedhjet qendrore kemi pasur rënie goxha të madhe”, u shpreh ai.

Gashi tha, se për dallim nga zgjedhjet e nivelit qendror, PDK-ja në Kamenicë në zgjedhjet lokale ka rritje të konsiderueshme.

“Duke pasur parasysh nga zgjedhjet e nivelit qendror tashmë kemi rritje goxha të madhe. Andaj mos angazhimi i strukturave të partisë që janë struktura të vjetruar të partisë që janë nga themelimi i partisë, pa asnjë reformë na ka ndëshkuar”, tha Gashi.

Ai në vazhdim tha se do të insistojë që të referohet partia dhe të ketë individ të rinj që punojnë për rritjen e partisë.

“Nuk është ndërmarr asnjë hap për reformim. Do të jem insistuesi më i madh për ta reformuar partinë. Gjatë fushatës kam punuar me struktura të të rinjve, gjenerata të reja që kanë pasur vullnetin më të mirë me na përkrah”, deklaroj ai më pas.

Kujtojmë, se Kujtim Gashi nga PDK në zgjedhjet lokale ka marr 2.657 vota ose të kthyer në përqindje 15,30%. /Lajmi.net/

SHPËRNDAJE