Këto janë partitë serbe që pritet të dalin në zgjedhje

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës do të mbahen më 19 maj të këtij viti, përderisa Lista Serbe sot pritet ta marrë vendimin për pjesëmarrje ose bojkotim të tyre pas takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Edhe nëse nuk bojkotohen, zgjedhjet e majit pritet t’i rilegjitimojnë politikanët e njëjtë

Fatmir Sheholli ka thënë se nuk mund të mohohet fakti që Lista Serbe në veri aktualisht është shumë e fuqishme dhe mbizotëron mbi partitë tjera politike serbe.

“Por ne nuk mundemi t’i bindim serbët për kë të votojnë, ata do të vendosin vetë për votën e tyre kujt do t’ia japin, por ajo që është e sigurt është që ne duhet njëherë e përgjithmonë si institucione të shtetit të Kosovës t’ua bëjmë me dije se format, veprimet dhe konceptet politike të cilat ata i shprehin e që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk mund të jenë prodhim i legalitetit dhe legjitimitetit të tyre në Kosovë”, ka potencuar ai.

Ndërkohë, teksa ka folur për Listën Serbe Sheholli ka thënë se brenda këtij subjekti ekziston një homogjenitet dhe se ata nuk marrin pjesë në zgjedhje pa u konsultuar me presidentin serb.

Porse ka bërë të ditur se ekziston vullneti i disa partive të tjera serbe që të dalin në zgjedhje, siç është partia e ish-liderit tashmë të ndjerë Oliver Ivanoviq, partia e Aleksandar Jabllanoviqit, Iniciativa Qytetare e disa subjekte të tjera, shkruan Zëri.

Po ashtu ai ka theksuar se edhe shqiptarët në veri të vendit janë të interesuar që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Ndërkohë, vendimin për shpalljen e zgjedhjeve në katër komunat veriore presidenti Hashim Thaçi e ka marrë gjatë së hënës së kësaj jave.

Zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kanë thënë se nga aspekti ligjor zgjedhjet në veri të vendit mund të organizohen pa ndonjë problem.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE