Këto janë rrugët ligjore që mund të ndjekë Albin Kurti nëse nuk i çertifikohet kandidimi nga KQZ-ja!

Sot është data e fundit kur subjektet politike mund të dërgojnë në KQZ emrat e kandidatëve për deputetë.

Por një dilemë dhe paqartësi e madhe mbetet me emrin e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, pasi të njëjtit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk i lejohet kandidimi për deputet për shkak të dënimit të tij.

E njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, ka thënë për “Gazeta Blic” se duke parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, as KQZ-ja nuk pritet ta çertifikojë emrin e tij .

“Me vetë faktin që Gjykata Kushtetuese ka kufizuar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë, si e drejta për tu zgjedhur duke ndërtuar nje standard të ri, KQZ në bazë të interpretimit të vendimit të Kushtetuesës nuk mund të pritet që të çertifikoj kandidaturat e personave të denuar në tre vitet e fundit. Edhe pse një konkludim i tillë nuk mundet të mirret si i mirë kur dihet se 11 anëtarë të KQZ do të vendosin lidhur me këtë çështje”

Tutje Miftaraj thekson se Kurti, në rast se nuk çertifkohet nga KQZ-ja, mund të ndjekë rrugët ligjore duke iu drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar vendimin e saj.

“Sidoqoftë, e drejta në ankesë ndaj vendimeve të KQZ është e garantuar, që nënkupton se z. Kurti dhe të tjeret duhet që përmes rrugëve ligjore dhe institucionale të sfidojnë KQZ, PZAP dhe Gjykatën Supreme duke shfrytëzuar të drejtën ti drejtohen edhe një herë Gjykatës Kushtetuese per të sqaruar vendimin e saj, kuptohet duke shtjerr të gjitha mjetet juridike në dispozicion. Në anën tjetër, duke marr per bazë kohën e shkurtë kohore deri në ditën e zgjedhjeve me 14 shkurt 2021, duhet pritur që KQZ, PZAP, Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese ti trajtojnë ankesat brenda afateve ligjore” tha Miftaraj.