Kjo e keqe po i ndodh Kosovës, fajtor Qeveria

Qeveria e Kosovës ka heshtur karshi kritikave të ashpra të Ambasadës britanike në Kosovë për emërimin në pozita të larta të njerëzve që nuk i plotësojnë kriteret. Madje, në këtë rast është shkelur edhe memorandumi i nënshkruar mes Qeverisë dhe kësaj ambasade.

Qeveria e ka emëruar Burim Rrecajn në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, duke anashkaluar kandidaten e vetme që i kishte plotësuar kushtet, Gentiana Islamaj.

Ambasada britanike kishte thënë se kandidati i vetëm që i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë nuk është emëruar.(Kliko mbi reklamë dhe shiko pamjen e plotë ⤵)

“Rezultati përfundimtar sipas mendimit profesional të Partnerit Zbatues të projektit tonë gjen se vetëm një person kishte përmbushur kriteret për t’u emëruar në këtë pozitë. Kandidatët e tjerë kishin dalë me më pak pikë dhe nuk ishin të nivelit për emërim në këtë pozitë. Në këtë pozitë nuk është emëruar kandidati i vetëm që ka përmbushur kriteret”, kishte vlerësuar Ambasada Britanike në Kosovë.

Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta sqarojnë këtë situatë, madje edhe qëndrimin e Ambasadës britanike, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndaj këtij vendimi kanë reaguar disa organizata të shoqërisë civile, duke e konsideruar si vazhdimësi të praktikës së shkeljeve ligjore.

Me vendimin 11/26, Qeveria ka emëruar Burim Rrecaj Sekretar të Përgjithshëm të MTI-së, edhe pse ai nuk i plotësonte kriteret për këtë pozitë të lartë në shërbimin civil.
Për intervistimin e kandidatëve për Sekretar të Përgjithshëm të MTI-së, komisioni vlerësues ka qenë i mbështetur edhe nga kompania britanike, sipas memorandumit të nënshkruar të Qeverisë së Kosovës me Ambasadën Britanike në Prishtinë.
Në bazë të vlerësimit të kompanisë britanike dhe komisionit vlerësues, e vetmja kandidate e cila i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar Sekretare e Përgjithshme ishte Gentiana Islamaj, e cila deri në fund të janarit 2018 ishte ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme në MTI.

Burim Rrecaj, i cili është zgjedhur nga Qeveria në pozitën në fjalë, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilët Ministria e Administratës Publike i ka dërguar në Qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve.

Në bazë të nenit 15, paragrafi 3, të Ligjit për Shërbimin Civil, MAP i dërgon Qeverisë për përzgjedhjen e njërit nga 3 kandidatët më të mirë në bazë të vlerësimeve të komisionit vlerësues.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se “do të ishte e logjikshme që qeveria të përzgjedhë kandidat-in/en i cili ka marrë numrin më të madh të pikëve dhe jo të përzgjedhë kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret për atë pozitë”.
Për më tepër, Burim Rrecaj ishte pjesë e listës zgjedhore të partisë Nisma për anëtar të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Në gjithë këtë proces, është vlerësuar se Qeveria e Kosovës e ka shkelur memorandumin e nënshkruar më 11 tetor me Ambasadën britanike, qëllimi i të cilit ka qenë që në pozita të larta drejtuese të emërohen njerëzit më të mirë.

“Qëllimi i Memorandumit të mirëkuptimit është që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike”, thuhet në pikën 1 të memorandumit.

SHPËRNDAJE