Kjo është goditja e radhës e SHBA-së ndaj Kosovës për shkak të taksës

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre se gjenerali amerikan i Gardës Nacionale të Iowas,Timothy Orr ka anuluar vizitën e tij në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës në produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në letrën e komandantit Rama, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në.

Vizita e gjeneralit amerikan ishte paraparë të realizohet nga data 16 deri më 18 shkurt, për të shënuar 11 vjetorin e pavarêsisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë prej 100 për qind në importet e këtyre dy shteteve.

Deri më tash nuk ka pasur ndonjë reagim nga qeveria e Kosovës.

Kjo taksë, është parë nga SHBA-ja dhe BE-ja si pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë javë më parë përmes një deklarate se veprimet që minojnë dialogun, përbëjnë qëndrim kundër interesave të SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara insistojnë se veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, ishte thënë në deklaratë.

Kjo masë është shfrytëzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si arsyetim për mosvazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përveç tjerash, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të premten, pas një vizite që ka zhvilluar në SHBA, se Uashingtoni ka dhënë porosi të qartë se pa pezullimin e tarifës doganore nuk mund të vazhdojë dialogu në Bruksel.

Përndryshe, deklarata e ambasadës amerikane, nuk ka shënuar herën e parë që SHBA-ja ka kundërshtuar vendimin e autoriteteve të Kosovës.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka bërë të dituar në muajin nëntor se Sekretaria amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të heqin dorë nga kjo masë.

SHPËRNDAJE