Kjo është përqindja e pensionit që marrin familjarët kur vdes një pjesëtarë i Policisë së Kosovës

Të shumtë janë emrat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët kanë ndërruar jetë përgjatë kryerje së detyrës.

Që nga viti 2001 deri në vitin 2018, 20 pjesëtarë të Policisë së Kosovës ndërruan jetë derisa po i shërbenin sigurisë së qytetarëve.

Por përpos vdekjeve në detyrë, ka edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët zgjodhën që vetë t’i japin fund jetës së tyre. Por edhe pse Indeksonline ka kërkuar numrin e pjesëtarëve të policisë të cilët kryen vetëvrasje, Policia e Kosovës nuk ka dashur të bëjë të ditur një gjë të tillë.

Por pavarësisht nëse pjesëtari i policisë kryen vetëvrasje apo vritet në detyrë, familjarët e tij do të vazhdojnë të marrin pension.

Bashkëshorti/a, i cili/e cila përcaktohet që ka qenë e përkrahur nga zyrtari policor dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare të zyrtarit policor i cili vdes në kryerje të detyrës kanë të drejtë në pension familjar, por vetëm deri në vlerën 80% të pagës bruto.

Por në një përgjigje dhënë për Indeksonline nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës u shtua se “Bashkëshorti i/e cili/a përcaktohet që kanë qenë e përkrahur nga zyrtari policor dhe fëmijët nën moshën tetëmbëdhjete (18) vjeçare të zyrtarit policor i cili vdes në detyrë kanë të drejtë në pension familjar, por vetëm deri në vlerën 60% të pagës bruto”.

Ndryshe në Policinë e Kosovës çështja e vdekjes së punonjësve është e rregulluar me Ligjin e Policisë i cili parasheh kompensimin për vdekje në detyrë apo dhe në kryerje të detyrës.

Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Enver Zymberi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Jahi Maliqi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj janë të gjithë emrat e 20 policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës policore./Indeksonline/

SHPËRNDAJE