“Klima e mos-besimit mes LDK-së dhe LVV-së po i bën palët dyshuese edhe rreth ofertave”

Takimet e deritanishme ndërmjet kryetarit të LDK-së Isa Mustafa dhe kryetarit të VV-së Albin Kurti nuk kanë rezultuar efektive dhe rrjedhimisht nuk është arritur të finalizohet koalicioni.

Pas pezullimit të takimeve tashmë kanë filluar letërkëmbimet po edhe një mënyrë e tillë komunikimi deri tani nuk ka dhënë efekt.

Gjatë ditës së sotme ishte Isa Mustafa i cili deklaroi se LDK-ja ka vullnet për koalcion por VV-ja duhet ta shqyrtojë mirë ofertën e fundit që është bërë nga kjo parti.

Por kjo mënyrë bisedimi mes tyre po shihet me skepticizëm nga njohësi i çështjeve politike në vend Krenar Shala.

Shala në një prononcim për “Gazeta Blic” thotë se mes këtyre dy partive duhet të krijohet një klimë mirëbesimi pasi edhe votat që i kanë marrë në zgjedhje janë edhe për shkak të zotimit të tyre për të qeverisur bashkë.

“Mendoj që palët duhet të bisedojnë në mirëbesim dhe se duhet ta kenë të qartë që votat të cilat i kanë marr në këto zgjedhje janë marr edhe për shkak të zotimit të tyre që këto dy parti do të nëshkruajnë marrëveshjen për themelimin e Qeverisë së re. Aktualisht vërehet një mos-besim nga ana e këtyre dy partive vërehet një mos-besim i theksuar i cil mos-besim është duke i bërë palët dyshuese nëse ofertat duhet të merren parasysh” tha Shala.

Gjatë ditëve të fundit edhe ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë .

SHPËRNDAJE