Klopp mbron Salah-n: Ne jemi në këtë pozicion falë golave të tij

Jurgen Klopp dëshironte të mbronte Mohamed Salah nga kritikat e kohëve të fundit. Sulmuesi egjiptian ka pasur një rënie të formës sportive, si pjesë e një frenimi të përgjithshëm të ekipit.

Mungesa e shënimit të golave është evidentuar si një problem te “Reds” në ndeshjet e fundit, ndaj edhe humbën kreun e Premier League karshi Manchester City.

Salah është golashënuesi më i mirë i Liverpool, por ka shënuar vetëm një gol në shtatë ndeshjet e fundit, në të gjitha garat, duke shpërdoruar raste të pastra, sidomos kundër Evertonit në ndeshjen e fundit të kampionatit.

“Nëse keni shanse në një ndeshje, ajo që ju doni është të shënoni, por si trajner jam mësuar edhe me lojtarët që nuk shënojnë gjatë gjithë kohës.

Mohamed ka pasur një rekord të pabesueshëm në realizimin e golave dhe falë tij kemi pozicionin që kemi. Për sa kohë që vazhdojmë të kemi shanse për të shënuar, do të jetë mirë”, – u shpreh Klopp.

Trajneri gjerman raportoi gjithashtu për gjendjen aktuale të të lënduarve: “Lovren është trajnuar dje normalisht, për herë të parë mbas lëndimit.

Edhe Joe Gomez po arrin në 100 për qind të formës, duket mirë. Shumica e problemeve do të zgjidhen pas pushimit ndërkombëtar, edhe pse Lovren duhet ta shohim ende, sepse ka qenë jashtë skuadrës për një kohë”.

SHPËRNDAJE