Ky është lajmi më i mirë për koalicionin LAA-VV prej përfundimit të zgjedhjeve

Koalicioni LAA e Lëvizja Vetëvendosje janë ofruar dhe po bisedojnë për programe. Ata po presin, siç thonë ata, dështimin e PAN’it për të krijuar qeverinë.

Këtë e thotë nënkryetari i AKR’së dhe tashmë deputeti i zgjedhur, Korab Sejdiu, i cili potencon se ka pasur takime me VV’në, të cilat kanë qenë në nivel programor.

“Ka pasur disa takime, kanë qenë në nivel programor. Është arritur një progres i caktuar. Shpresoj që do të bëhet, do të realizohet një koalicion mes dy partive”, ka thënë ai.

Ai shpreson se më dështimin eventual të koalicionit PAN, timoni do t’u takojë atyre, transmeton gazetametro.net.

“Dhe me dështimin e koalicionit PAN që ta themelojë qeverinë, atëherë të bartet timoni tek koalicioni i gjerë që do të përfshijë koalicionin tonë dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Sejdiu për Ekonomia online.

Ndërkaq, Sejdiu ka ripërsëritur qëndrimin se nuk do ta votojnë qeverinë e krijuar nga PAN’i në asnjë mënyrë. Ai madje u ka bërë ftesë PAN’it që të propozojnë një kandidat unifikues për kryeparlamentar, të cilin mund ta votojnë edhe partitë jashtë PAN’it, në mënyrë që të funksionalizohet Kuvendi.

“Në momentin që shpallet kandidatura e dikujt për krye parlamentar atëherë natyrisht edhe ne do të deklarohemi lidhur me personin në fjalë. Vetëm kisha shtuar që kisha pasë dëshirë që çfarëdo kandidati që të kandidohet nga ana e koalicionit PAN të jetë dikush që është i pranueshëm për të gjithë ata që janë deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe natyrisht që të mundësoj njëfarë roli unifikues të kryeparlamentarit i cili do ta ndihmojë funksionimin normal të Parlamentit”, ka thënë tutje deputeti i ardhshëm nga radhët e AKR’së.

Ndryshe, sot presidenti ka caktuar 3 gushtin si datë të mbajtjes së seancës konstituive, ku pritet të vërtetohen mandatet e deputetëve dhe të emërohet kryesia e re e Kuvendit, e ku më pas hapet rruga për votimin e Qeverisë së re.