Koalicioni ‘thyhet rëndë’: Deputetja e AAK-së me deklarata kundër Kadri Veselit!

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur për qëndrimin e AAK-së karshi çështjes së demarkacionit.

Kadrijaj ka thënë se në qoftë se versioni aktual risjellet në Kuvend Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta votojë atë.

“Qëndrimi i imi personal është se kjo formë e demarkimit nuk do t’i ketë votat në Kuvend dhe nëse procedohet do të bie “, ka thënë ajo.

Ajo më tej ka shtuar se AAK është duke pritur të gjeturat e Komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi dhe pastaj të vendoset për këtë çështje.

“Ne po presim raportin e komisionit qeveritar në radhë të parë të formuar në mënyrë që t’i konsultojmë të gjeturat e këtij komisioni që është një komision profesional dhe apolitik dhe pas sjelljes së këtij versioni unë mendoj që Qeveria nuk ka arsye me mbajte më në sirtar demarkacionin.

Deputetët do të informohen për të gjeturat të gjithë do ta kenë një shtojcë të të gjeturave në raport me demarkimin me Malin e Zi.

Raporti ekzistues mbi të gjeturat nga raporti mendoj që duhet të procedohet në Kuvend dhe pastaj deputet do të vendosin a do ta votojnë ose jo”, ka deklaruar Kadrijaj, raporton Gazeta Blic.

Në foto: Time Kadrijaj- deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK.

Ndryshe, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se të gjithë deputetët e partisë së tij do të votojnë pro marrëveshjes së demarkacionit – me përjashtim të njërit prej tyre.

“Si Parti Demokratike e Kosovës, në masën mbi 95 për qind (i kemi votat)”, ka thënë Veseli në një intervistë.

“Mund të jetë vetëm një deputet i cili nuk e voton. Dhe ai është Nait Hasani, i cili mund të ketë dilema”, është shprehur kreu i PDK-së.
Ndërsa, kryeministri i Ramush Haradinaj njëherit kryetar i partisë AAK është shprehur se versioni aktual i demarkacionit është i gabuar andaj ka emëruar një komision të ri në lidhje me Demarkimin me Malin e Zi.

Kujtojmë se kryeministri Haradinaj ka marrë përgjigje edhe nga pala malazeze.

Kryetari i Komisionit malazez për shënimin e kufirit, Milan Paunoviç, shpreson që situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mali i Zi do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve.

Duke komentuar shkarkimin e ish-kryetarit Murat Meha dhe Komisionit që ka arritur marrëveshjen, zyrtari malazez ka thënë se Podgorica nuk është njoftuar zyrtarisht për asgjë. Por, ky zyrtar nuk ka dhënë sinjale se vendi i tij do të lëvizë, duke kërkuar nga pala kosovare ratifikimin e marrëveshjes.

/GazetaBlic