Koha për reflektim!

Shkruan: Gëzim Saraçi

Gjykuar për mënyrën se si qeverisi vendin në vitet e fundit, qeveria e cila ishte e ndërtuar mbi themelet e votave të votuesve të Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që barrë e madhe e përgjegjësisë bie mbi PDK-në, respektivisht udhëheqësit e PDK-së, anipse ajo qeveri udhëhiqej nga dikush tjetër.

Se në zgjedhjet e 11 qershorit do të rritej numri i votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se do të mundë të ndryshoj perbërja e Kuvendit, këtë pothuajse çdokush e ka pritur, mirëpo dyfishimi i numrit të votuesve të kësaj Lëvizjeje, si dhe dominimi i saj në shumicën e komunave të Kosovës, natyrisht se përbën befasi.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para edhe në komunën e Vushtrrisë, ndërkohë që strukturat udhëheqëse të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Vushtrri, bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë, anipse Vushtrria për shumë vite ishte bastion i fuqishëm i PDK-së.

Qytetarët e Vushtrrisë çdoherë ishin dhe mbeten shembull për reflektim sipas rrethanave të kohës. Qytetarët e Vushtrrisë kishin reflektuar edhe kur LDK-ja ishte lodhur në pushtet në vitin 2007. Qytetarët e Vushtrrisë po reflektojnë kur PDK-në e ka zënë gjumi në pushtet.

Thënë drejtë, qytetarët e Vushtrrisë “duruan” më shumë sesa që duhej, por sikur këtë e bënë për t’iu dhënë hapësirë dhe kohë për të punuar, atyre që aq shumë thirreshin në vlerat e luftës, të cilat disa udhëheqës të PDK-së aq shumë i nëpërkëmbën.

Reflektimi qytetarë plandosi egon e atyre pushtetarëve që pushtetin e shohin si pronë të tyre.

Në këtë situatë, reflektimi i atyre që shpërfaqin ngazëllim nuk mungon, ndërkohë që reflektim i anës tjetër për dështim mund të thuhet se është vetëm heshtja.

Heshtjerëndë se nuk do të mund ta realizojnë programin e “Fillimit të Ri” apo heshtjerëndë se ndoshta nuk do të mund t’i gëzojnë privilegjet me të cilat janë mësuar, këtë do të duhej ta tregonin para nesh, ata që e sollën PDK-në në këtë “deregje”. Apo ndoshta ata janë aq shpirtngushtë saqë veç po presin a thua a do t’i arrijnë votat për kolltuk në Kuvendin e Kosovës.

Qytetarët e Vushtrrisë patën shumë arsye të kërkojnë ndryshim. Qytetarët e Vushtrrisë kishin shumë arsye të jenë të pakënaqur me qeverisjen qendrore, por ata nuk patën shumë arsye të jenë të kënaqur edhe me qeverisjen lokale, veçanërisht me zhvillimet në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë.

Qytetarët e Vushtrrisë u harruan për tri vite nga përfaqësuesit e zgjedhur, ndërsa në fushatë, edhepse aq të shkurtë, e kishin vështirë të shihnin ndonjë pjesë të qytetit e cila nuk ishte e “dekoruar” nga fotografitë e atyre kandidatëve për deputetë. Një fotografi e tillë, që së paku ka kosto sa një rrogë minimale në Kosovë, nuk e frymëzon qytetarin e Vushtrrisë për t’i votuar ata, por për t’i kundërshtuar. Bile, për t’i kundërshtuar fuqishëm. E fotografi të tilla kishte plot.

Vushtrria është një qytet i vogël dhe çkado që ndodh në Vushtrri qytetarët e kuptojnë shpejt, ndoshta brenda ditës.

Vushtrriasit, pothuajse, për një vit ishin spektatorë të lojës që po luhej në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, loja me Planin Zhvillimor Komunal. Me atë lojë qytetarët nuk kënaqeshin, sepse pothuajse secili qytetar e dinte se çfarë loje po luhej, kush ishin lojtarët e kësaj loje madje edhe kush ishte sponsor i kësaj loje. E më e keqja dihej se kush ishte “viktimë” në këtë lojë. Qytetarët e Vushtrrisë, respektivisht përkrahësit e Partisë Demokratike të Kosovës reflektuan ndaj pakënaqësive që kishin kur figura të ndryshme politike përmbushnin egot e tyre personale si kusht për të aderuar në PDK, siç ishte rasti me aderimin e dy ish kandidatëve për kryetar të komunës njëri nga LDK dhe tjetri nga AAK.

Andaj, nëse Partia Demokratike e Kosovës humb në komunën e Vushtrrisë, qytetarët vushtrrias nuk janë fajtorë, sepse ata veç reflektuan.

Qytetari është gjyqtari më i mirë, andaj tash është koha për reflektim të udhëheqësve lokal të PDK-së!

Reflektoni shpejt, sepse zgjedhjet lokale janë afër!

SHPËRNDAJE