Komuna do ta bëjë rrafsh me tokë Hotelin e njeriut më të fort në Mitrovicë

Hoteli i njeriut që thuhet të jetë më i fuqishmi në Mitrovicë vazhdon të mbetet rrezik për jetën e qytetarëve në këtë komunë.

Por “Adriatiku”, në pronësi të Ismet Osmanit – Curri, i cili një vit më parë u shemb dhe mori jetën e një punëtori, nuk do të mbetet gjatë kështu.

Në komunën e Mitrovicës kanë konfirmuar për gazetën inFokus se kanë në plan rrënimin e këtij objekti gjysmë të shembur.

“Intervenimi në këtë objekt për rikthimin e gjendjes fillestare paraqet rrezik me vet faktin që u përmenden dëmtimet e elementeve konstruktive të tij”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim bën të ditur se Komuna e Mitrovicës e ka të formuar komisionin për verifikimin e gjendjes faktike në ish- hotelin Adriatik, i cili në përbërje ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë verifikim.

“Në bazë të asaj që është parë në vendin e ngjarjes nga komisioni vlerësues dhe përmes fotografive të objektit në fjalë, komisioni ka konstatuar se objektit i janë dëmtuar elementet konstruktive në përdhesë siç janë; shtyllat, muret vete mbajtëse dhe harqet”, thuhet në përgjigjen për gazetën inFokus.

Për shkak të kësaj gjendje ka ardhur deri tek shembja e një pjese të ish- hotel Adriatiku, kjo shembje sipas komisionit nuk ka ardhur si pasojë e vjetërsisë së objektit, por si pasojë e ndërhyrjeve në sistemin e ndërtimit të elementeve konstruktive.

Kjo edhe është arsyeja që tani Komuna e Mitrovicës ka vendosur ta bëjë rrafsh me tokë këtë objekt.

SHPËRNDAJE