Komuna e Mitrovicës falënderon KRM “Unitetin” për punën e madhe që po bën me pastrimin e qytetit

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, kanë mbajtur mbledhje me shtabin komunal, me të cilët është diskutuar gjendja aktuale dhe zbatimi i masave shtesë preventive të virusit COVID-19, me ç’rast e ka falënderuar edhe Kompaninë Rajonale për menaxhimin e mbeturinave “UNITETI” për punën e palodhshme që kryejnë duke pastruar çdo ditë të gjitha rrugët e qytetit, përfshirë këtu edhe hapësirat përgjatë Liqenit Akumulues.

Në këtë mbledhje kryetari Bahtiri, theksoi se komuna e Mitrovicës po vazhdon me zbatimin e të gjitha masave parandaluese ndaj këtij virusi, në bazë të udhëzimeve dhe rekomandimeve të Qeverisë së Kosovës dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Me këtë rast kryetari Bahtiri, njoftoi të pranishmit se me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik sot kemi bërë edhe reduktimin e stafit komunal në drejtoritë përkatëse, dhe se qytetarët për çfarëdo kërkese për shërbime komunale mund ti adresojnë edhe përmes aplikimit online në ueb faqe të komunës.

Kryetari Bahtiri bën apel tek të gjithë qytetarët të zbatojnë me përpikëri të gjitha rekomandimet e dhëna nga Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik, sepse vetëm në këtë mënyrë e ndalojmë përhapjen e këtij virusi.

Po ashtu ai bën të ditur se dezinfektimi është kryer pothuajse në të gjitha hapësirat dhe objektet publike, ku me këtë rast falënderon edhe KRM “UNITETI” për punën e palodhshme që kryejnë duke pastruar çdo ditë të gjitha rrugët e qytetit, përfshirë këtu edhe hapësirat përgjatë Liqenit Akumulues.

Ndërsa u kërkon falje të gjithë operatorëve të ndryshëm që veprojnë në Komunën e Mitrovicës për ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë së tyre, të cilët mund të pësojnë edhe humbje materiale, mirëpo duke e pas parasysh shëndetin e gjithë qytetarëve është dashur të merren vendime të tilla.

Në fund kryetari Bahtiri njofton të gjithë qytetarët e Mitrovicës se duke filluar nga sot në ora 20:00-22:00, në TV Mitrovica do të jenë mysafir çdo natë personat përgjegjës të institucioneve shëndetësore nga Komuna e Mitrovicës, në mënyrë që qytetarët të njihen më shumë rreth këshillave dhe rekomandimeve lidhur me parandalimin e këtij virusi.

SHPËRNDAJE