Komuna e Vushtrrisë me projekt kreativ, ua subvencionon agro-bizneseve kamatën e kredive

Drejtoria për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural e komunës së Vushtrrisë, ka hapur fazën e aplikimit për subvencionimin e kamatës për kredi për zhvillimin e agro-bizneseve dhe bizneseve për të gjithë të interesuarit.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili përmes një postimi në Facebook ka shkruar: “100,000.00€ subvencionim të interesit per kredi, mbi 1,000,000.00€ mbështetje direkte për agro bizneset dhe bizneset e Vushtrrisë me ndikim direkt në zhvillim ekonomik lokal. Komuna e Vushtrrisë ka hapur fazën e aplikimit për subvencionimin e kamatës për kredi për zhvillimin e agro-bizneseve dhe bizneseve për të gjithë të interesuarit në Komunën e Vushtrrisë. Aplikacionin mund ta gjeni në ueb faqen e Komunës”.

Bëhet e ditur se mënyra e shfrytëzimit të këtyre subvencioneve do të bëhet me financimin e bizneseve dhe agro-bizneseve me kredi nga BKT, kurse kamatën e kredive për përfituesit e këtij projekti e paguan komuna në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me BKT-në.

Komuna e Vushtrrisë ka ftuar të gjithë të interesuarit, e posaçërisht të rinjtë dhe të rejat që duan të merren me zhvillimin e veprimtarisë biznesore, që të aplikojnë për këtë projekt.

Vlera e kredisë do të jetë minimumi  10.000,00€, ndërsa aplikuesit duhet t’і plotësojnë kushtet si në vijim:

Aplikacionin;

Të drejt aplikimi kanë personat mbi 18 vjet deri 65 vjet,

Të jetë banorë i Komunës së Vushtrrisë si dhe veprimtarinë ta zhvillojë në Komunën e Vushtrrisë,

Mjetet e kredituara të shfrytëzohen ekskluzivisht për investime në veprimtari të ndryshme si në prodhimtari, përpunim, grumbullim etj.

Investimet duhet të jenë në ato veprimtari që krijojnë të hyra afatgjate dhe punësim,

Dëshminë kadastrale për pronësi të parcelës ku do të bëhet investimi(fleta poseduese),

Të kenë parakushte për zhvillimin e asaj veprimtarie,

Të kenë kapacitet për të kthyer mjetet e kredituara nga banka,

Kopja e letërnjoftimit të aplikuesit;

Vërtetimin mbi kryerjen e obligimeve komunale;

Plani investiv për marrjen e kredisë.

  • Aplikohet në zyrën pritëse të komunës;
  • Afati і fundit për aplikim:17/08/2018 ora 15:00

 

 

 

SHPËRNDAJE