Konfirmohet shkrimi i Veriu.info, Vetëvendosje e ka mposhtur PDK-në në Mitrovicë

Në natën e 11 qershorit, vetëm disa orë pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, Veriu.info kishte raportuar se Lëvizja Vetëvendosje kishte arritur të dalë subjekti i parë politik në Mitrovicë.

Për 18 ditë me radhë KQZ-ja e kishte radhitur PDK-në të parën në disa të dhëna të cilat i publikonte në ueb faqen e vet, gjë që ishte bërë shkas që disa militantë të PDK-së të hedhin akuza në drejtim të portalit Veriu.info, ku sipas tyre, ne kishim shpifur, gjë që doli krejt e kundërta.

Veriu.info kishte informacione të sakta se Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë subjekti i parë politik në Mitrovicë, ani pse ky qytet llogaritej bastion i PDK-së, duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve nacionale të vitit 2014, ku PDK-ja kishte marrë 46% apo mbi 13 mijë vota. Ndërsa, së bashku me AAK-në dhe NISMA-n, në zgjedhjet e vitit 2014 kishin 14 400 vota.

Për dallim nga viti 2014, këto subjekte politike që tash garuan në koalicion, morën vetëm 10 149 vota, përderisa Vetëvendosje mori 10 346 vota, duke shënuar ngritje të madhe prej vitit 2014 që kishte 4 355 vota apo 15.3%.

Shkrimi i portalit Veriu.info i publikuar më 11 qershor 2017: http://www.veriu.info/vetevendosje-e-fiton-mitrovicen/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE