Konfirmon Rexhep Selimi: Brigada “Hasan Prishtina” nuk ka ekzistuar kurrë

Aktakuza e ngritur për listat e veteranëve, nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, ka nxjerrë në pah skandale të shumta.

Për t’i rehatuar veteranët e rremë, 16 vjet pas luftës në këtë aktakuzë thuhet se u krijua edhe një brigadë, ajo e “Hasan Prishtinës”.

Por ish-komandanti i UÇK’së Rexhep Selimi i habitur thotë për Gazetën inFokus, se nuk ka dëgjuar kurrë për një brigadë të tillë.

Selimi, i cili në vitin 1998 ka qenë drejtues i drejtorisë së operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, e cila drejtori direkt merrej me strukturat e ushtrisë përfshirë edhe brigadat në shtatë Zonat Operative, ka theksuar se nuk ka pasur asnjëherë një brigadë të tillë.

“Nuk kam dëgjuar ndonjëherë për brigadën ‘Hasan Prishtina’ dhe nëse ju referoheni brigadave të UÇK-së nuk ka pasur brigadë ‘Hasan Prishtina’ asnjëherë”, ka deklaruar Selimi.

Njeriu që doli për herë të parë publikisht me uniform të UÇK-së shprehet i shqetësuar me falsifikimin që po i bëhet luftës së fundit në Kosovë.

“Këto mashtrime janë falsifikim i historisë. Janë drejtpërdrejtë atakim i historisë së vërtetë të UÇK’së dhe padrejtësi ndaj atyre që e meritojnë këtë status. Sa i përket emërtimit të brigadës “Hasan Prishtina” nuk kam dëgjuar më herët, por një gjë është e sigurt, listat e veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve në vitin 1999 kanë qenë krejt ndryshe nga ato që janë sot”, shprehet Selimi, i cili ende nuk ka aplikuar për statusin e veteranit.

Ai thotë për inFokus se nuk e ka ndërmend të aplikoi derisa të bëhet dallimi mes veteranëve të vërtetë dhe atyre të rremë.

Ish-komandanti i UÇK’së është i vendosur që edhe si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje të angazhohet për pastrimin e listave dhe luftës.

“Rritja e numrit të veteranëve ka ndodhur duke u shkaktuar vepër penale, shkelje e ligjit për veteranët e UÇK’së. Konfirmoj edhe një herë se kjo shkelje ligjore ka ndodhur në masë të madhe dhe nëse është vepër penale, atëherë janë shkaktuar së paku 20 mijë vepra penale, sepse sipas ligjit shkelje konsiderohen çdo falsifikim i dokumenteve apo deklarim i rrejshëm me qëllim të përfitimit të statusit”, thotë deputeti Selimi.

Ai vlerëson se të gjithë ata që i kanë fryrë listat dhe kanë marrë para për ti bërë veteran personat që asnjëherë nuk ishin në luftë, që sipas tij mund të jetë krim i organizuar, duhet të japin përgjegjësi para ligjit.

Në këtë çështje, ai nuk përjashton nga përgjegjësia asnjë nga ish-udhëheqësit e UÇK-së të cilët janë të përfshirë në verifikimin e veteranëve, shkruan inFokus.

Por, është i zhgënjyer me dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, i cili po merrej me hetimin e listave të veteranëve.

“Kush do që është përfshirë në këtë krim të organizuar i bëftë mirë, ka shkaktuar vepra penale dhe duhet përballur me ligjin. Por ekziston edhe një komision qeveritar për verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së që ka përgjegjësi për gjithçka çka ka ndodhe aty. Unë kam pasur një shpresë që së paku të del ndonjë dhe do ta zbardhë këtë dhe me këtë ta zbardhë edhe historinë. Edhe dekurajuese dhe e dhimbshëm dorëheqja e një prokurori që po merrej me këto çështje”, shprehet Selimi për inFokus.

Transkriptimet e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit dhe pjesëtarëve të UÇK-së në zonën operative të Drenicës, pjesë e aktakuzës së ngritur nga prokurori Elez Blakaj kanë nxjerrë të dhëna shqetësuese për manipulime në emër të UÇK-së.

Disa prej të akuzuarve në aktakuzën e prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Shukri Bujaj e Xhavit Jashari.

Sipas kësaj aktakuze, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 “veteranët e rrejshëm”.

SHPËRNDAJE