Konfiskohet autobusi kosovar në Gjermani, kompania i kishte 29 mijë euro borxh doganës gjermane

Një autobus i një Agjencionit të udhëtimeve është konfiskuar nga Dogana gjermane.

Rasti ka ndodhur në krahinën e Bavarisë në qytetin e Lindau.

Kjo për arsye se kompania në fjalë i kishte borxh autoriteteve doganore 29 mijë euro.

Ky autobus që po vinte nga Kosova u detyrua të ndalej në kufirin me Austrinë, duke i detyruar udhëtarët të zbresin dhe të presin deri sa të vjen autobusi tjetër për t’i dërguar në vendet e caktuara, shkruan Sud deutsche.

Sipas zëdhënësit të Drejtorisë Qendrore të Doganave në Ulm, kjo kompani është e njohur për doganën sepse edhe në të kaluarën i janë konfiskuar edhe dy autobus të tjerë si pasojë e borxheve financiare që kishin ndaj autoriteteve.

Autobusi do të kthehet pasi të paguhen obligimet financiare, por nëse e njëjta nuk ndodh brenda 15 ditëve atëherë autobusi do të shitet në ankand.

SHPËRNDAJE