Konjufca: A mund ta gjejë Grenell një deklaratë të Kurtit që është kundër Bushit dhe Obamës?

Emisari Special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell tha se është gjithmonë e sigurt që Albin Kurti do të jetë kundër SHBA-ve.

Madje, ai në një cicërime të para disa ditëve në Twitter tha se Kurti ka qenë kundër ideve të dy paraardhësve të Donald Trump – Barack Obama dhe George Bush.

Këtë konstatim të Grenell e ka cilësuar të pabazë dhe pa argumente nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca.

Ai në Rubikon tha se nuk mund të thuhet se Albin Kurti ka qenë kundër George Bushit dhe Barack Obamës vetëm pse ai dhe partia e tij e kanë kritikuar Planin e Ahtisaarit dhe Zajednicën – që kanë ndodhur në periudhën respektive të qeverisjes së dy presidentëve amerikanë.

“A ka një argument qysh Albin Kurti është kundër [Barack] Obamës? [Richard] Grenell nuk e ka asnjë argument. A mund ta gjejë një deklaratë të Albin Kurtit që është kundër Barack Obamës?”.

“Vetëvendosja është kundër vegëzave që ia vendos Plani i Ahtisaarit shtetit të Kosovës dhe e kritikon Planin e Ahtisaarit nga ky dimension – zonat eksterritoriale, gjashtë komuna të reja serbe, si dhe e drejtë e vetos në Kushtetutë të Kosovës dhe në Parlament. Këto janë gabim, dhe Vetëvendosja e ka kritikuar. Tash nëse [Richard] Grenell thotë pse Vetëvendosja i ka këto kritika është kundër [George] Bushit është kot, është palidhje krejt – është keqpërdorim, bile. Qysh Vetevëndosja kundër George Bushit? Çfarë argumenti ki që Vetëvendosja është kundër [George] Bushit?”

“Vetëvendosja është kundër Zajednicës, derisa Grenell po thotë që Zajednica është ide e Obamës që është absolutisht e pavërtetë. Nëse Grenell përmes këtij argumentimi logjik po thotë që Albin Kurti ka qenë kundër Obamës, sepse Obama në vitin 2015 ka qenë për Zajednicën, a e di pse e ka gabim? Pjesa për Zajednicën në pikën 15 thotë që Kosova duhet ta çojë në Gjykatë Kushtetuese edhe Kosova e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese ku edhe është rrëzuar Zajednica. Qysh koka Vetëvendosja kundër Obamës?”.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE