Konjufca letër Borrellit: Përdorni autoritetin tuaj që Nezir Mehmetaj të lirohet nga burgu në Serbi

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, sot i ka shkruar përfaqësuesit të lartë së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, lidhur me arrestimin e shtetasit kosovar, Nezir Mehmetaj.

Nëpërmjet kësaj letre Konjufca i ka kërkuar Borrell-it që të përdor autoritetin e tij që të ndërhyj, me qëllimin që Mehmetaj të lirohet nga burgu i Serbisë.

Kjo është letra e plotë e Konjufcës:

I nderuari zoti Borell,

Po Ju shkruaj për të ngritur shqetësimet e mia për arrestimin e qytetarit kosovar, zotit Nezir Mehmetaj, nga autoritetet serbe.

Më 3 janar 2020, zoti Nezir Mehmetaj u arrestua nga autoritetet serbe në pikën kufitare midis Serbisë e Kosovës, në Merdare. Gjatë kohës së arrestimit, zoti Mehmetaj po kthehej nga qyteti i Nishit të Serbisë, ku ai e kishte shoqëruar nënën e tij për një ekzaminim mjekësor.

Që nga arrestimi zoti Mehmetaj është në mbajtje në Burgun Qendror në Beograd, ndërsa Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës në Beograd është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tij.

Familja e zotit Mehmetaj ka deklaruar që Nezir Mehmetaj bashkë me familjen e tij të ngushtë ka jetuar në Zvicër rreth 30 vjet. Sipas avokatit, që e ka angazhuar familja e tij, i cili e ka përcjellë arrestimin e zotit Mehmetaj, Zyra e Prokurorit ka riintervistuar apeluesin, banor i Gjermanisë, dhe apeluesi nuk e akuzon zotin Mehmetaj si të përfshirë në këtë rast.

Deklarata e apeluesit, që është në favor të zotit Mehmetaj, nuk i është paraqitur gjykatës kompetente në Beograd nga Prokuroria gjatë tre muajve të fundit. Meqë zoti Mehmetaj vuan nga diabeti, gjatë kohës në mbajtje, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm.

SHPËRNDAJE