Koordinatori Mendim Rugova i shkarkuar nga Kurti kishte punësuar shofer të akuzuarin për skandalin me viza

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë, që është zyrtarisht mbledhja e parë, ka marrë vendim për shkarkimin e koordinatorëve që kishte emëruar Ramuish Haradinaj.

Në mesin e koordinatorëve të shkarkuar është edhe Mendim Rugova, djali i Presidentit historik Ibrahim Rugovës.

Mendim Rugova, në vitin 2018, ishte caktuar koordinator nacional për ambientin.

Bazuar në faturat e shpenzimit të parasë publike, Rugova kishte 3,762.90 euro shpenzime për dreka dhe 2,221.97 litra karburante, kostoja e të cilave është rreth 2,577 euro. Kësisoj, shpenzimet e tërësishme mbërrijnë në 6,340 euro.

Rugova i ka pasur në zyre të tij edhe tre persona të tjerë të punësuar, përfshirë Avni Hotin, Elbasan Bytyqin dhe Qefser Bahollin.

Qefser Baholli është njëri nga të akuzuarit në skandalin me vizat italianë ku është i përfshirë vëllau i Mendimit, Ukë Rugova.

Gazeta Insajderi kishte publikuar “Dosjen Grande”, bazuar ne dokumentet konfidenciale të EULEX-it gjatë hetimit ndaj Ukë Rugovës dhe grupit të tij, të përfshirë në vizat italiane.

Por, përveç borxheve ndaj shtetit, raportet konfidenciale të EULEX-it, të siguruara nga Insajderi, tregojnë se llogaria bankare e biznesit të Ukë Rugovës kishte aktivitet të pazakonshëm. Ukë Rugova dyshohet se përgjatë viteve ka qenë i përfshirë në pastrim parash.

Në serinë e trembëdhjetë të ‘Dosja Grande’ sjell detaje nga raportet konfidenciale që tregojnë për dyshimet për pastrim parash nga biznesi privat i Ukë Rugovës, i cili nuk e paguante tatimin ndaj shtetit.

Përveç deponimit të shumave të mëdha nga Rugova, deponues me shuma më të vogla kanë qenë edhe persona të tjerë përfshirë Qefser Bahollin.

Ai kishte deponuar 2 mijë e 345 euro më datën 31 janar 2011 në këtë llogari.

Baholli, për gati dy vjet u pagua me nga paraja publike, si i punësuar në zyrën e koordinatorit për ambient, Mendim Rugova. Por nga sot ai nuk do të jetë më aty, pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për shkarkim të koordinatorëve.

SHPËRNDAJE