Koreja nuk shqetësohet nga spiunimi suedez

Seleksionuesi i Koresë së Jugut, Shin Tae-yong, ka thënë se nuk është i shqetësuar nga spiunimi që ka bërë kundërshtari i së hënës, Suedia.

Koreja e Jugut do të përballet me Suedinë të hënën në ndeshjen e Grupit F të Botërorit. Një skaut suedez kishte përdorur një shtëpi në afërsi të bazës stërvitore të Koresë në Austri këtë muaj për të parë seancat stërvitore duke përdorur teleskop të performancës së lartë dhe video-kamera.

“U desh një rrugëtim i gjatë me veturë nëpër male për të arritur në shtëpi, por ishte vend perfekt për të shikuar stërvitjet koreane”, tha të dielën anëtari i stafit të Suedisë, Lars Jacobsson. Ai më herët ishte larguar nga seancat stërvitore të mbyllura, pasi kishte dështuar të bindte koreanët se është turist dhe më pas mori shtëpinë me qira për të xhiruar stërvitjet.

Seleksionuesi i Suedisë, Janne Andersson, të dielën ka kërkuar falje, duke thënë se ishte një gjë e vogël, por që u kthye në gjë të madhe. Mirëpo seleksionuesi i Koresë së Jugut, Shin, ka insistuar se nuk është asgjë për t’u shqetësuar. Ai ka bërë që lojtarët e tij në stërvitje të mbajnë numra ndryshe.

“Ne kemi ndërruar numrat, pasi nuk kemi dashur t’i tregonim kundërshtarit tonë çdo gjë dhe kemi dashur të shpërqëndronim atë. Ata mund të njohin pak nga lojtarët tanë. Gjithë trajnerët ndoshta ndiejnë se kundërshtarët janë duke i spiunuar ata. Mendoj se është plotësisht e natyrshme se ne të gjithë mundohemi të marrim sa më tepër informata që mundemi për kundërshtarin”, ka thënë Shin.

SHPËRNDAJE