Kosova i ka sytë kah Muriqi dhe Celina

Kosova e ka gjithë vëmendjen kah Vedat Muriqi dhe Bersant Celina dhe do të shpresojë se ata do ta bartin formën e lartë që po e gëzojnë me klubet e tyre përkatëse edhe në ekipin kombëtar për ndeshjet e shtatorit kundër Republikës së Çekisë dhe Anglisë.   

Kosova do të jetë për herë të parë pa dy futbollistët kryesorë të skuadrës, Arbër Zenelin dhe Milot Rashicën, si dhe me disa mungesa të theksuara në dy ndeshjet e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Kombëtarja dardane e pret Republikën e Çekisë më 7 shtator në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, para se të udhëtojë drejt Southamptonit për t’u përballur me Anglinë vetëm tri ditë më vonë.

Përveç Zenelit dhe Rashicës, Bernard Challandes nuk do të mundë të llogarisë as në dy ndër mesfushorët titullarë, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shalën e as në Benjamin Kolollin që vuan nga lëndimi i nyjës së këmbës.

Zeneli, lojtari më i mirë i vendit në vitin 2018, është duke u rikuperuar momentalisht nga një lëndim i rëndë në gju të cilin e pësoi në ndeshje kundër Malit të Zi. Rashica, ndërkohë, u lëndua në fundjavë gjatë një ndeshjeje me Werder Bremen në Bundesligë duke e tërhequr muskulin në kofshe. Trajneri i tij, Florian Kohfeldt, konfirmoi se 23-vjeçari nuk pritet të kthehet deri pas ndeshjeve të kombëtareve.

Ndërsa, Kryeziu është ende duke u rikuperuar nga lëndimi i gjatë në ligamente të gjurit. Shala, i cili i humbi dy ndeshjet e Kosovës, barazimin me Malin e Zi (1:1) dhe fitoren kundër Bullgarisë (3:2) në muajin qershor shkaku i një lëndimi muskulor, ka pësuar frakturë në dorën e djathtë gjatë një seance stërvitore të mërkurën. As ai nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë verdhekaltërve.

Mungesat në sulm dhe forma e lartë që Muriqi dhe Celina po e shfaqin me Fenerbahcen dhe Swansea City përkatësisht, kanë bërë që Kombëtarja dardane të mbështetet në ta në dy ndeshjet e ardhshme.

Vedat Muriqi duke festuar pas golit për Fenerbahçen

Sulmuesi 24-vjeçar nga Prizreni Muriqi ka shënuar në dy ndeshjet e para të Fenerit në Superligën e Turqisë duke qenë protagonisti kryesor i skuadrës.

Që prej transferimit të tij nga Rizespor këtë verë, Muriqi ka gëzuar formë fantastike duke shënuar tre gola edhe në ndeshjet miqësore në turin parasezonal, po ashtu.

Mesfushori sulmues Celina, ndërkohë, është duke treguar formë brilante në Championship – nivelin e dytë të futbollit anglez, me Swansea City. Ai ka shënuar dy gola në katër ndeshje deri tani.

Bersant Celina duke shënuar për Swansea City

Challandes sigurisht se do të mbështetet në ta për ta udhëhequr sulmin e Kosovës në ndeshjet e fillim shtatorit.

Ndeshja ndaj Çekisë në shtëpi është e rëndësisë së veçantë për Kosovën, duke qenë se siç qëndrojnë gjërat cekët janë rivalë të drejtpërdrejt të verdhekaltërve për pozitën e dytë në Grupin A, e cila dërgon direkt në EURO 2020. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE