Kosova ndër shekuj vuajti për liri, por edhe aq më shumë për Udhëheqës të drejtë e të dinjitetëshëm

Shkruan: Gani Mustafa

Gjendja aktuale në Republikën e Kosovës produkt i papërgjegjësisë i të gjithë atyre që udhëheqën me Kosovën që nga pas lufta e deri me sot. Të ndihmuar edhe nga heshtja e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës , Rinisë studentore dhe OJQ-ve.

Sikur paria e jonë të kishte, njerëz të tillë që mbi çdo gjë personale ta kishin interesin qytetarë, atdheun, Kombin dhe shqiptarinë, shumë gjëra nuk do shkonin ashtu siç rrodhen nga pas lufta e këndej. E që si pasojë qytetari dhe vendi i ynë është katandisur si mos më keq. Sipas sondazheve të organizatave të cilat bëjnë matjen e zhvillimeve në vendet si Kosova dhe ato në tranzicion , vendi i ynë ballafaqohet me varfëri ekstreme mbi 25% , numër të papunëve mbi 50 %, degradim në sferën e arsimit dhe më të humbjen e perspektivës për të rinjtë.
Tash e dhjetë vite pas shpalljes së Pavarësisë, individ që udhëheqën shtetin me pallavra e morën përgjigjejen e merituar në Testin Pisa, i cili tregoj gjendjen alarmante në këtë sferë .

Këto trende negative ishin produkt i mos punës dhe papërgjegjësisë së individëve ( të padijshëm ,vasal dhe lakmiqar për pushtet ) të cilët fatkeqësisht kanë udhëhequr dhe udhëheqin sot me shtetin .
Është e çuditshme se si Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila paguhet nga taksapaguesit ( qytetaret e Kosovës ) duke i parë këto trende nuk e ka parë të udhës që të paktën ti drejtohet opinionit dhe njerëzve me një strategji dalëse nga ky rreth vicioz, e i pa perspektivë të futur nga e gjithë klasa politike pa dallim që nga pas lufta e këndej.

Është e pafalshme se si kuazi intelektualet dhe kuazi analistet e vet quajtur dhe të proklamuar aq shumë në mediet e shkruara dhe ato Radio – televizive për çështje të reklamimit të tyre kurrë nuk u morën me analiza të cilat do ishin udhërrëfyes se si Kosova të rrugëtoj drejtë dhe sigurt, si një shtet ku respektohet qytetari , ligjshmëria dhe kushtetutshmëria në tërë territorin e saj.

Këta kuazi intelektualet dhe kuazi “analist” të cilët qëllim primar kishin proklamimin e tyre si analist, shndërrimin e tyre në Vasal të njerëzve të politikës, të cilët pastaj falë politikës dhe njerëzve të politikës nga kuazi “ intelektual “ dhe kuazi “analistë” u shpërblyen e u sistemuan në pozita të pa merituara në shumë dikastere të rëndësishme të shtetit si; ministra, zv.minisra, sekretarë, asistentë, doktorë dhe përfundimisht profesorë universitar .
Njerëz të tillë, ndoshta edhe nga mosdija nuk i shpjeguan qytetarëve të tyre se çka nënkuptojmë me fjalën shtet, cilat janë parimet bazë të funksionimit të mirëfilltë të një shteti .

Nuk i treguan qytetarit të tyre se nuk ka shtet pa ushtri si njëri prej parimeve bazë të një shteti nuk i treguan kurrë se çka nënkuptojmë me tërësinë territoriale, e cila pastaj ju kthye si bumerang Republikës së Kosovës, gjatë procesit të demarkacionit me shtetet fqinje .

Nuk nxorën strategji dalëse, që duke e shfrytëzuar potencialin e mërgatës sonë, e cila asnjëherë nuk kursej asgjë për Kosovën dhe shqiptarinë, që me politika të mirëfillta ekonomike vendi i ynë të pavarësohet edhe në aspektin ekonomik nga Serbia .

Në mungesë të strategjive të mirëfillta, Republika e Kosovës edhe njëzetë vjet pas çlirimit si pasojë e mos shtrirjes së autoritetit në tërë territorin e vendit, jetës paralele në fushën e sigurisë, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, telekomunikacionit, pamundësisë së shfrytëzimit të aseteve të veta dhe tregtisë jo formale e cila zhvillohet në veri, veprime këto të lejuara në heshtje nga e gjithë klasa politike e cila ka udhëhequr me vendin, shteti i ynë ka humbë miliona euro që nga pas lufta e këndej. Pra mos zbatimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit, ashtu siç i obligojnë ligjet pozitive me të cilat është qeverisur Kosova nga paslufta e këndej, i kanë mundësuar Serbisë dhe shteteve përkrahëse të saj, ta paraqesin Republikën e Kosovës si shtet jo funksional.

Me arritjen e qëllimeve të specifikuara më lartë, Kosovës ju imponuan bisedimet e pabarabarta të Brukselit të ashtuquajtura fillimisht si teknike, të cilat me kalimin kohës na dolën të jenë tërësisht politike, me ç’rast Serbia u faktorizua. Përfitoj në rrugëtimin e saj drejtë anëtarësimit në BE, arriti që falë kinse dialogut me shqiptaret e Kosovës ti stopoj njohjet për vendin tonë dhe ju mundësua që të jetë palë në bisedime për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës .

Si pasojë e papërgjegjësisë së klasës politike, heshtjes së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Rinisë studentore, OJQ-ve dhe shoqërisë civile të përgjumur Republika e Kosovës sot përballet me vështirësi socio ekonomike, mbylljen dhe falimentimin e fabrikave (uzinave), tjetërsimin e pronave dhe aseteve përcjellëse të tyre, me të cilat dikur krenohej vendi i ynë.

Kjo klasë politike nuk ishte e aftë që për hir të interesave të Kosovës, ti mbledh (bashkoj) kokat më të ndritura te ekonomistëve si profesor universitar, duke përfshirë këtu edhe afarist të suksesshëm nga vendi e diaspora të cilët me përvojën e tyre së bashku do ta hartonin një plan dhjetëvjeçar të Zhvillimit Ekonomik, i cili do të ishte garant i një shteti stabil dhe serioz, para qytetarëve të vet dhe partnerëve tanë Evropian dhe Amerikan. Ky planë zhvillimor do të parandalonte shkatërrimin, falimentimin dhe faljen e fabrikave, të cilat aktualisht ose janë shitur , dhënë me koncesion ose janë falimentuar .
Me këtë strategji Republika e Kosovës përveç që do të garantonte stabilitet në aspektin ekonomik, do të inkurajonte njëkohësisht edhe biznese të huaja të investojnë në vendin tonë, që rrjedhimisht do të nënkuptonte gjenerim të vendeve të punës dhe parandalimin e ikjes së trurit, kuadrit të shkolluar dhe trajnuar me para të taksapaguesve tanë në vendet e tjera për një jetë më të mirë.

Është e pafalshme që për shkak të kësaj klase politike, sot në shekullin e XXI qytetari i Kosovës është privuar nga të drejtat e tij elementare si p,sh shëndetësia e mirëfilltë (spitale publike funksionale ) , sigurimet shëndetësore dhe shtesat fëminore.

Paria e cila ka udhëhequr me Kosovën që nga pas lufta e këndej e korruptuar dhe e shantazhuar, e gënjyen qytetarin e saj duke ju thënë se Kosova në bisedime me Serbinë nuk humb asgjë, mirëpo vetëm nëse kthehemi në retrospektivë dhe i shikojmë bisedimet e Vjenës dhe pakon e Ahtisarit që proklamonin rrejshëm se ky proces ka me qenë i dhimbshëm për Kosovën, por kryesore ne po bëhemi shtet i pavarur dhe çështja e Kosovës do të përmbyllet me njohje nga të gjitha shtetet e botës madje edhe nga Serbia.
Jo që nuk doli ashtu siç proklamuan dhe u zotuan, por Kosova nga mosdija e tyre u shpërblye me gjashtë pikëshin e Ban Ki Munit ,dialogun që Serbia e përdori si qëllim për pengimin e njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare duke përfshirë këtu edhe anëtarësimin në OKB .Papërgjegjësia e njerëzve që qeverisen me Kosovën, shkon edhe më larg kur nuk patën dije që ta shfrytëzojnë mendimin e Gj.N.D -së, e cila shumë qartë tregoj se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare .
Udhëheqësit tanë në vend se ta hartonin një strategji që përmes këtij mendimi ti bindin edhe ato shtete hezituese se njohja e Republikës së Kosovës nga këto shtete do ti kontribuonte në stabilitetin e Kosovës, regjionit dhe më gjerë, zgjodhi heshtjen, pasojë e së cilës Republika e Kosovës dështoi të anëtarësohet në organizata pjesë të OKB-së siç ishte rasti i anëtarësimit në UNESCO ku si pasojë e papërgjegjësisë së liderëve tanë me votat kundër, të Polonisë, Japonisë dhe Kores së Jugut shtete mike dhe vende të cilat e kanë njohur Kosovën e humbëm mundësin të bëhemi anëtar të UNESCOS.
Shteti i ynë duhet edhe pse me vonesë, ti mbledh kokat më ndritura të vendit nga fusha e diplomacisë ,organeve për zbatimin e ligjit, telekomunikacionit, energjisë, ekonomisë duke përfshirë këtu edhe profesor universitar, afarist të suksesshëm vendor dhe afarist nga diaspora, faktor këta të cilët do ja kthenin dinjitetin Kosovës dhe qytetarit të saj , pra do ta kthenin besimin në institucionet e tyre ndërsa shtetit si Serbia dhe aleatëve të saj do të ju pamundësoheshin dhe minimizoheshin planet për ndërhyrje në destabilizimin e vendit, të krijuar me gjakun e djemve dhe vajzave më të mirë të vendit , do ta qonte në vend amanetin heronjve tanë të rënë ndër breza , dëshmorëve të Kosovës ,UCK-së lavdishme.
Ndërsa, aleateve tanë në krye me Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimit Evropian do ti siguronim se , e kemi seriozisht ta bëjmë Kosovën shtet të zhvilluar ekonomikisht, përmes reformave të mirëfillta dhe rrënjësore në ;
Fushën e Arsimit ( depolitizimin e Universitetit të Prishtinës dhe shkrirjen e universitete private në një të vetëm )
Sigurisë (organeve për zbatimin e ligjit )
Ekonomisë ( Profesor të mirëfilltë universitar të ekonomisë madje edhe nga ta në pension )
Diplomacisë ( Ambasador të denjë që do ta përfaqësonin vendin në shtetet ku delegohen )
Shëndetësi së (Funksionalizimi i spitaleve publike ,ngritja e pagave ,Ligji mbi sigurimet shëndetësore )
Ligjin mbi funksionimin e partive politike
Ligjin mbi funksionimin e Qeverisë , reduktimin Qeverisë në shtatë ministri
Reforma në administratë dhe depolitizimin e saj dhe

Ligjin antimafia

Implementimi i Reformave të specifikuara më lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të nënkuptonte kthimin e besimit të humbur nga qytetarët në institucione , zhvillim ekonomik ,gjenerim të vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht do ti bënte qytetaret e Kosovës ta duan vendin e tyre ndërsa, në rrafshin ndërkombëtar vendit do ti kthehej dinjiteti dhe respekti ku do që Republika e Kosovës përfaqësohet.

Autor i shkrimit është njohës i Kriminalistikës, Kriminologjisë dhe Çështjeve të Sigurisë

SHPËRNDAJE