Kosova nuk arrin t’i heq kodet e huaja telefonike

Operatorët telefonik në Kosovë nuk kanë arritur t’i përmbahen afatit kohor për largimin e kodeve të huaja telefonike dhe përdorim vetëm të kodit telefonik të Kosovës +383.Data 15 janar e këtij viti ka qenë e fundit kur operatorët e telefonisë mobile dhe fikse Vala dhe Ipko është dashur të fillojnë me zbatimin e kodit telefonik +383 dhe largimin në tërësi të kodeve ndërkombëtare.

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ARKEP, Kreshnik Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se si rrjedhojë e moszbatimit të këtij afati fillohet me masa sanksionuese.

“Nga sot kompanitë (operatorët telefonik në Kosovë) do të dënohen me shumën 10,000 euro në muaj, ky vendim do të rishikohet në 2-3 muajt e ardhshëm dhe nëse nuk zbatohet deri atëherë kjo shumë mund të rritet më tutje”, thotë Gashi.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të telefonisë mobile të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386) për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.Largimi i kodeve të huaja ishte paraparë që të ndodhte në qershor të vitit 2018, por kjo nuk kishte arritur të realizohej. Pas kësaj date ishte dhënë edhe afat i dytë për largimin e kodeve të huaja që ishte 31 tetori i vitit 2018.

Por, në pamundësi për arritjen e këtij afati dy operatorët Vala dhe Ipko kishin kërkuar shtyrje të afatit, por kjo nuk ishte pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.Qysh në atë kohë ARKEP nxjerri vërejtjen përfundimtare dhe kërkoi që të eliminohen kodet e huaja sa më të shpejtë që është i mundur, derisa me masa sanksionuese bëri të ditur se fillohet nga data 15 janar, 2019.

Sfidë për fillimin e zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383, sipas operatorëve të telefonisë mobile Vala dhe Ipko ishin relacionet e tyre me operatorët ndërkombëtarë.Ekspertë të çështjeve të telekomunikacionit e kishin konsideruan neglizhencë të operatorëve telefonik mosrrumbullakimin në afat të caktuar të kodit shtetërorë telefonik të Kosovës +383.

Në mungesë të kodit telefonik, vetëm Telekomi i Kosovës, që shfrytëzon linjën +377, i ka paguar për shfrytëzim të kodit 3 milionë euro Telekomit të Monakos, kurse për humbjet komerciale deri në 6 milionë euro. Kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, i kanë kushtuar humbje vendit deri në mbi 200 milionë euro.Kosovës iu kishte ndarë kodi telefonik nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) në dhjetor të vitit 2016. Ky kod ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE