KQZ jep një lajm shumë të rëndësishëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për më pak se dy muaj, do të marrë vendimin për fazën e fundit të procesit zgjedhor, ku i gjithë materiali i ndjeshëm zgjedhor do të shkatërrohet.

Lajmin për Gazeta Metro e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, i cili tha se kjo llogaritet të jetë faza e fundit, ku me vendim të KQZ’së, brenda 60 ditëve pas certfikimit të rezultatit të zgjedhjeve, të gjitha fletëvotimet shkatërrohen.

‘Pas çdo procesi zgjedhor, materiali i ndjeshëm zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet shkatërrohet. Kjo llogaritet të jetë faza e fundit e një procesi zgjedhor. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme për shkatërrimin e materialit zgjedhor, vendimi merret nga KQZ’ja brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Në përputhje me ligjin, KQZ’ja do të marrë këtë vendim dhe sigurisht se do të bëhet publik’, ka thënë ai.

Elezi tutje ka theksuar se një pjesë e këtij materiali i duhet prokurorisë dhe për këtë arsye nuk lejohet asgjësimi i tërë materialit zgjedhor, pasi që KQZ obligohet të ruaj atë deri në përfundim të të gjitha procedurave, ndërsa një tjetër pjesë e këtij materiali zgjedhor ruhet për qëllime të trajnimit të stafit i cili angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore.

‘Jo i gjithë materiali i ndjeshëm zgjedhor shkatërrohet. Materiali i cili ruhet është objekt hetimi i Prokurorisë së Shtetit dhe ne kemi obligim që ta ruajmë deri në përfundimin e të gjitha procedurave. Gjithashtu, edhe një pjesë tjetër e materialit zgjedhor ruhet dhe kjo bëhet për qëllime të trajnimit të stafit i cili angazhohet në proceset e ardhshme zgjedhore’, ka shtuar ai.

Pas certifikimit të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e këtyre zgjedhjeve arriti të fitojë 221,001 vota ose 26,270%, Lidhja Demokratike e dyta me 206.516 vota apo 24,548%, Partia Demokratike zuri vendin e tretë me 178.637 vota ose 21,234%, koalicioni AAK-PSD 96,872 vota apo 11,515%. Ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD ka arritur të kalojë pragun duke marrë 42,083 vota apo 5,002%. /gazetametro.net

SHPËRNDAJE