KQZ mblidhet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do të mbaj mbledhje për të bërë përgatitjet e para për zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës më 15 mars.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Sipas Elezit,  një ndër vendimet e para do të jetë shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët që janë në dispozicion për organizimin e tyre.

“Po ashtu, KQZ-ja pritet të miratojë planin operacional ku janë të parapara të gjitha aktivitetet e këtij procesi zgjedhor. Edhe sa i përket kohës se deri kur mund të paraqiten subjektet politike për të marrë pjesë në këto zgjedhje apo edhe sa do të jetë kohëzgjatja e fushatës zgjedhore, do ta dijmë në këtë mbledhje”, u shpreh ai.

Podujeva ka shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi që Agim Veliu dha dorëheqje për të vazhduar funksionin e Ministrit të Punëve të Brendshme.

Kryetari, i ri i kësaj komune do ta drejtojë atë në mandat 2 vjeçar, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta komunale në nivel vendi./GazetaBlic/

SHPËRNDAJE