KQZ nuk ka marrë udhëzime nga IKSHPK-ja për organizimin e zgjedhjeve në dy komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka marrë udhëzimet nga institucionet shëndetësore lidhur me masat që duhet t’i ndërmarrë për procesin zgjedhor në Podujevë e Mitrovicë të Veriut.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, ky institucion është në pritje të përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë e Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Sipas dekreteve të Presidentit të Republikës së Kosovës, udhëzohemi që organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse në pajtim me ligjin për luftimin e pandemisë COVID-19. Në këtë drejtim, KQZ ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës udhëzime e këshilla për masat që duhet ndërmarrë në organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe jemi në pritje të përgjigjeve të tyre. Gjithashtu, KQZ-ja ka diskutuar në dy mbledhjet e fundit për t’ua mundësuar votimin të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, të cilët mund të jenë të infektuar dhe që rrjedhimisht nuk do të mund të shkojnë në vendvotimin e tyre për shkak se duhet të izolohen. Prandaj, meqenëse kjo është hera e parë që përballemi me një situatë të tillë të organizimit të zgjedhjeve në rrethana të pandemisë, KQZ-ja ka kërkuar udhëzime dhe këshilla se si të veprohet në këtë situatë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, KQZ-ja gjatë javës që vjen pritet të vendosë lidhur me certifikimin e kandidatëve për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Një nga ta është edhe Erden Atiq. Atiq shpreson që institucionet të marrin masat e nevojshme në mënyrë që mbajtja e zgjedhjeve në këtë komunë të mos anulohet.

“Ma merr mendja që është sfiduese kjo edhe për Qeverinë edhe për Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet relevante, prapë e përsëris që shpresoj që nuk anulohen dhe shpresoj që ka mekanizma të cilët munden me i parapri rrezikut të Covid-it që mos me u anulu zgjedhjet”, ka thënë Atiq.

Shpresën tek institucionet në menaxhimin e situatës me pandeminë e ka edhe kandidati i PDK-së, Florent Azemi.

“Besoj që ata janë kompetent dhe këtë gjendje do ta menaxhojnë. Nëse është nevoja edhe me i shty kjo nuk varet prej neve. Çfarëdo vendimi ne do ta respektojmë”, ka thënë Azemi për Kohën.

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut dhe në Podujevë do të mbahen më 29 nëntor. Kryetarin e komunës, qytetarët e Podujevës është dashur ta zgjedhin më 15 mars. Një ditë para ditës së zgjedhjeve, shkaku i situatës me pandeminë, ato u shtynë për një datë të pacaktuar.