Krasniqi: Patriotizmi i sotëm është i vonuar

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka deklaruar se ka qenë për bisedime dhe është për normalizim të plotë të marrëdhënieve me serbët e Kosovës e Serbinë, por ai hedh dyshime në atë që ka parë të shkruar në 15 pika.

“Këto janë kushtet e Serbisë për ti ‘shuar’ strukturat e saj në Kosovë. Kush mund të na garantoj se politika në Beograd nuk do të veproj ndryshe”, shkruan Krasniqi.

Postimi i Krasniqit në Facebook:

Kur duhej kundërshtuar e votuan 86 deputet, një pjesë edhe duke qenë në opozitë?! Ata edhe sot janë në opozitë. Patriotizmi i sotëm është i vonuar. Thirrja se dikush ka protestuar a luftuar dje, më nuk pinë ujë. Gjeneratat po ndrrohen!

MARRËVESHJET KOSOVË – SERBI

Unë kam qenë për bisedime, jam për normalizim të plotë të marrëdhënieve me serbët e Kosovës e Serbinë, por kjo që e pamë të shkruar në 15 pika nuk është e tillë. Këto janë kushtet e Serbisë për ti “shuar” strukturat e saj në Kosovë. Kush mund të na garantoj se politika në Beograd nuk do të veproj ndryshe. Këto 15 pika nuk e përmbyllin kompromisin apo kompromiset tona, përkundrazi hapin shtigje për kompromise të reja dhe që krijojnë premisa të shumta në dëm të stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë. Këto kërkesa kështu si janë do të duheshin të ishin reciproke me komunat shqiptare në Serbi. Ajo që duhet të vlente për serbët në Kosovë pse mos të vlente edhe për shqiptarët në Serbi? Kjo marrëveshje kështu si është konceptuar, është largim nga koncepti qytetarë dhe multietnik i Republikës së Kosovës dhe mund të shërbej si precedent për gjithë rajonin.

Këto bisedime siç është thënë dhjetëra herë nga Kryeministri dhe vartësit e tij, kanë pasur për qellim normalizimin e marrëdhëniet me Serbinë dhe se kjo marrëveshje do të përmbyllej me një traktat paqeje. Po të ishte e tillë nuk besoj që do të kundërshtohej nga njerëzit e politikës në Kosovë. Këto bisedime janë zhvilluar në mjegull thënë më se buti, dhe nuk mund të prodhonin diçka tjetër. Nuk ka dyshim se për këto dokumente jemi njoftuar më shumë nga korospodentet tanë në Bruksel e fara pak nga raportimet që Kryeministri u ka bërë opozitës së urtë, Presidentes dhe se fundi dhe Kuvendit, institucionit përfaqësues të qytetarëve të Kosovës i cili është kthyer në institucion për miratimin e ligjeve me 31 vota. Dhe në fund Dokumentin që e kemi përpara dhe po e debatojmë është dokument më shumë se gjysmak dhe nuk i jep të gjitha përfundimet e tija vetëm len të hapura çështje të ndryshme. Çfarë dokumentesh politiko-ligjor prodhon ky dokument ne, nuk e dimë dhe me qellim është i hartuar kështu. Kur të detalizohet ka mundësi të kuptojmë se ku fle djalli, por atëherë do të jetë vonë, tepër vonë.

Ndoshta kompromisi edhe mund të përbihej sikur marrëveshja të ishte e plotë dhe përfundimtare dhe e plotë do të ishte sikur të përmbyllej me traktatin e paqes, me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe mekanizma të tjerë Evropian e ndërkombëtar, por kjo nuk po ndodhë, përkundrazi po kundërshtohet fuqishëm edhe nga vet bashkëbiseduesi i Thaqit, Dačići. Mandej marrëveshja kështu si është nuk është ndërshtetërore, por për çështje të brendshme të Kosovës. Kjo është jo vetëm kundër Rezolutës së Kuvendit por edhe në kundërshti me dokumentin bazik të shtetit. Madje as kështu si është nuk po gjënë përkrahje të popullata serbe e pjesës veriore të Kosovës. Pra nuk po na del se është marrëveshje, përveç emrit që e ka marrëveshje. Pse marrëveshja nuk është e plotë!

Vet fjala se po flitet për kompromis, kjo do të thotë se është shkuar përtej Dokumentit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, përtej Kushtetutës dhe ligjeve që i kemi miratuar. Ajo çka po mungon këtu është emri i vërtetë i kësaj autonomie. Sa është e thellë kjo autonomi më 15 pikat që kemi në shqyrtim e kemi vështirë ta themi.

Në pikën e dytë: Garancitë juridike; sigurohen përmes ligjit në fuqi, nuk thuhet të ligjeve të Kosovës pastaj vazhdohet, të ligjit kushtetues më dy të tretat….

Çka ka kontestuese të Asociacioni i komunave: të pika e tretë; AK ka Kryetarin, zëvendëskryetarin, Asamblenë, Këshillin!

Pika pesë thotë: Asociacioni i Komunave do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht si delegohen nga autoritetet qendrore. Të kujt janë këto autoritete, pse nuk thuhet autoritetet qendrore të Republikës së Kosovës?

Pa u zgjatur as pikat që kanë të bëjnë me sigurinë e drejtësinë nuk janë më të mira. Ndërsa pika e 14 len mundësin për vazhdimin e politikave agresive serbe ndaj Kosovës kjo do të thotë se lihen mundësi të shumta për kompromise të reja. Kjo do të thotë se me këtë marrëveshje jo vetëm që nuk ka normalizim të marrëdhënieve, por sipas rrethanave edhe mund të acarohen.

Unë nuk do të hezitoja të kontribuoja për ratifikimin e një marrëveshje që do ti normalizonte marrëdhëniet Serbi-Kosovë edhe me këtë nivel të kompromisit, por jo këtë farë Marrëveshje të njohur si Marrëveshja Dačić-Thaçi, e cila thuajse nuk zgjidh asnjë problem as ndëretnik e as ndërshtetëror.

Le të rumbullaksohet marrëveshja me të gjitha detalet, me të gjitha përfundimet dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve tona, atëherë përgjegjësia e obligimi ynë do të ishte tjetër.

SHPËRNDAJE