Krimi i rëndë në Gjakovë, 21-vjeçari nga Tropoja vrau dhëndrin dhe ia plagosi djalin në mes të natës!

Një tragjedi ka ndodhur mesnatën e së martës në familjen Mulaj në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës. Një person po dyshohet se ka therur me thikë tre anëtarë të kësaj familjeje. I zoti i shtëpisë ka vdekur si pasojë e plagëve, e djali i tij po lufton për jetë në QKUK. E plagosur ka mbetur edhe gruaja e viktimës. E për krejt këtë krim, i dyshuar kryesor është nipi i zonjës së shtëpisë. Gazeta Express të martën ka qëndruar në fshatin Bardhaniq, nga ku ju sjell detaje nga ngjarje e rëndë që tronditi Gjakovën.

Gjurmë gjaku vërehen kudo në katin e dytë të shtëpisë së familjes Mulaj në fshatin Bardhaniq të Gjakovës.

Mëngjesin e së martës, tre anëtarë të kësaj familjeje u sulmuan me thikë nga mysafiri që po mbanin në shtëpi.

Krejt tragjedinë në familjen Mulaj, e kishte parë edhe djali 7-vjeçar i kësaj familjeje, të cilin nëna e tij e kishte fshehur nën shtrat, për ta shpëtuar.

Kishte ardhur nga Shqipëria në Kosovë rreth tri ditë më parë. E në konak të hallës, Vilson Imeraj, po dyshohet se theri me thikë hallën, burrin e djalin e saj.

Krejt këtë krim, i dyshuari rreth 21 vjeç, dyshohet se e kreu rreth orës 03:00 të mëngjesit të së martës

Me një çekan theu derën e dhomës së çiftit, ku hyri dhe i theri me thikë hallën dhe burrin e saj.

Të zotin e shtëpisë e la të vdekur në korridor të shtëpisë.

E më pas hyri në dhomën e 23-vjeçarit të cilin e theri me thikë.

23-vjeçari Mark Mulaj, i cili momentalisht po trajtohet në QKUK, kishte tentuar të ikte, por nuk ia kishte dalë.

Vëllai i viktimës, Kristë Mulaj, tha se për krejt këtë ngjarje u njoftua nga djali i vëllait, Marku, i cili është i plagosur.

“Më ka lajmëru Marku në orën 3 të mëngjesit. Kur kam ardhë Markun e kam gjetë të plagosun e Ndoun të vdekur. Ai që e ka bërë këtë ka qenë mysafir, është nipi i gruas së Ndout. E kanë mbajtë si djalin e vet, ka qenë edhe përpara. Është me origjinë nga Tropoja”, tha per Express vëllai i viktimës.

“Këta kanë qenë në gjumë, u ka hy në dhomë dhe i ka therë me thikë. Raportet i kanë pasur të mira, mos me i pasë nuk e kish mbajtë në shtëpi, aty ku i ka mbajtur edhe fëmijët e vet”, ka thënë vëllai i viktimës.

E pas krejt këtij krimi, i dyshuari V.I. kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Nga aty kishte shkuar në Deçan dhe ishte futur në një shtëpi.

Pronari i shtëpisë ku kishte shkuar i dyshuari ka lajmëruar policinë, të cilët kanë shkuar dhe e kanë arrestuar të dyshuarin.

Prokurori i rastit, Ali Uka, ka thënë për Gazetën Express se deri më tani nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.

“Bashkë me njësitin e hetimeve rajonale kemi shkuar në vendin e ngjarjes. Aty e kemi kuptuar se viktimë e rastit është̈ N.M. 60-vjeçar. Lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja D.M. 46 vjeç dhe djali M.M. i moshës 23-vjeçare. Deri më tani nuk dihen motivet e këtij rasti”, ka thënë Uka.

Uka deklaroi se i dyshuar është Vilson Imeraj, i moshës rreth 21-vjeçare, nga Shqipëria.

“I dyshuar për këtë rast është Vilson Imeraj rreth 21-vjeçar nga Republika e Shqipërisë. Në vendngjarje ka qenë edhe mjekësia ligjore, trupin e pajetë të viktimës e kanë dërguar në IML në Prishtinë”, ka thënë Uka.

Uka tha se i dyshuari i cili kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte shkuar në Deçan, është intervistuar dhe e ka pranuar veprën.

“I dyshuari fillimisht ka ikur dhe ka shkuar në një fshat të Deçanit, ka hyrë në një shtëpi. Pronari i asaj shtëpie e kanë lajmëruar policinë, më kanë lajmëruar mua për vendndodhjen e tij. Atë e ka sjellë policia e Deçanit. Është intervistuar, faktikisht e ka pranuar veprën, por ka thënë se ka pasur presion nga viktima, e ka pranuar veprën në pika të shkurta”, tha Uka.

Uka shtoi se gjatë ditës së sotme do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

“Sot do ta bëjmë kërkesën për paraburgim. Veprat penale: vrasje dhe tentimvrasje”, tha Uka.

Lajmin për Express mëngjesin e së martës e ka konfirmuar drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

“Rreth orës 03:00 të datës 07.07.2020 Policia në Gjakovë është informuar për një rast vrasje në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitet relevante si njësitet patrulluese, hetuesia, forenzika, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor i janë përgjigjur vendit të ngjarjes. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës ndërsa dy personave tjerë iu është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore”, deklaroi Graishta.

SHPËRNDAJE