Kryeministri Haradinaj: Kompania Konsoni me produktet cilësore ka arritur të përhapet në gjithë tregun e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë vizitës që sot ka bërë në komunën e Gjilanit ka vizituar edhe kompaninë “Konsoni”.

Pronari i kësaj kompanie, Agim Sahiti, tha se 80 përqind e prodhimit të produkteve të pulës në tregun e Kosovës është nga Brazili.

Ai kërkoi nga kryeministri Haradinaj që të ketë kontrolle më të ashpra në importin e tyre në Kosovë, pasi sipas tij nuk mundet aq lehtë Brazili të depërtojë në Kosovë duke pasur parasysh që është shumë larg dhe transporti është i shtrenjtë.

“Gjitha këto 80 përqind janë prej atje, kurse sa i përket shteteve tjera që i kemi përreth, por dhe pak ma larg na nuk kemi frikë hiç…duke pasur një kontroll më të fortë vështirësohet edhe importi, por fundi i fundit nëse kontrollohet atëherë ne jemi të bindur që s’mundet që të konkurrojë kaq lehtë për shkak se Brazili është shumë larg, transporti është i shtrenjtë”, tha Sahiti.

Pronari i “Konson-it” iu ka bërë thirrje të gjithë prodhuesve vendor që të ndihmojnë njëri – tjetrin dhe mos të furnizohen nga jashtë.

“Ne mendojmë që të ardhmen të rriten kapacitetet jo vetëm tek ne ‘Konsoni’, por edhe në përgjithësi tek prodhuesit tjerë në Kosovë.. Më mirë me konsumuar prodhim vendor më të freskët, më afër, më mirë, sesa produkte të huaja. Gjithë prodhuesve i apeloj që kanë nevojë me ble prej njëri – tjetrit, më mirë është mes njëri – tjetrit me i plotësuar nevojat e vendit. Nëse përpunohet mishi i pulës në Kosovë unë jam i bindur që së paku dhjetë milion ëpula duhet të theren, e jo 1 milion e gjysmë sa theren”, shtoi ai.

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj pati fjalë të mira për kompaninë “Konsoni”, sipas tij, produktet e kësaj kompanie janë të garantuara.

“Kjo kompani që është e Kosovës ka arritur tash me përfshi tregun e Kosovës, pra dhe në zona tjera me hap pika të plasimit të mallit të vet. Mundem me iu thënë që është një produkt i garantuar, i shëndoshë i vërtetë.. Ne ende nuk e mbulojmë tregun tonë të Kosovës me prodhime, me vezë po, por me prodhime të pulës dhe mishit të shpezëve jo”, tha Haradinaj.

Ndryshe, dhe më herët kompanitë vendore kanë shprehur brengën për mbi popullimin e produkteve të Brazilit në tregun e Kosovës.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE