Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Abdullah Hoti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës Xhafer Tahiri, zëvendëskryeministri Selmanaj dhe deputetja e kësaj zone Rrezarta Krasniqi, sot ka vizituar zonat e përmbytura nga vërshimet e djeshme në Vushtrri.
Pasi ka parë dëmet e mëdha që janë shkaktuar nëpër shtëpi dhe në bujqësi, kryeministri Hoti, ka paralajmëruar se nesër do ta formoj komisionin për vlerësimin e dëmeve, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Postimi i plotë i Hotit
Bashkë me zëvendëskryeministrin Selmanaj dhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë Tahiri, vizituam urën mbi lumin Sitnica, afër Fabrikës së Llamarinës në qytetin e Vushtrrisë, për të parë nga afër dëmet që ka shkaktuar dalja nga shtrati e këtij lumi.
Shfrytëzova rastin që edhe një herë të përgëzoj njësitet e FSK-së, Agjencinë e Emergjencave dhe Shtabet Lokale, të cilat pandërprerë janë në terren në mbikëqyrje të situatës dhe në ofrim të ndihmës për qytetarët dhe familjet e prekura nga vërshimet.
Nesër do të takoj kryetarët e komunave për të diskutuar lidhur me dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe për formimin e komisionit për vlerësimin e këtyre dëmeve.