Kryeminsitri Kurti për Adem Demaçin: Veprimtari më unik që kemi pasur

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Kujtesa e Kosovës, portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi”.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se Baca Adem i kushtoi gjithë jetën e tij idealit të kombit shqiptar tek i cili ai e gjente vetveten dhe të vërtetën.

“Baca Adem e kuptonte se përtej dallimeve që ne kishim, kishte diçka që na bashkonte, e kjo ishte edhe të qenit shqiptar, edhe njerëz liridashës”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se si kryeministër i Republikës së Kosovës bashkë me ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zotohen se do të përkujdesen për botimin dhe shpërndarjen e veprës së plotë të Adem Damaçit.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar organizatorë,

Pjesëmarrës dhe qytetarë të nderuar,

Faleminderit që më keni ftuar të flas sot në këtë ekspozitë që vjen për nder të ditëlindjes së Adem Demaçit, atij më meritorit e më të devotshmit, atdhetarit e liridashësit, patriotit e intelektualit, me të cilin jemi të rrethuar në këtë ekspozitë përmes pikturave dhe fotografive të tij.

Baca Adem është veprimtari më unik që kemi pasur sepse është veprimtari më autentik që mund ta imagjinoni.

Jetën e tij ai e kuptonte si shërbim për popullin shqiptar dhe nuk kishte shpërputhje midis mendimit dhe fjalës dhe sjelljes dhe veprimit.

Ishte i njëjti gjithmonë Baca Adem, në çdo situatë tërë kohën.

Kur nuk kishin shkolla shqiptarët, Adem Demaçi ishte mësuesi, kur nuk kishin universitet ishte intelektuali i tyre, e kur nuk kishin ushtri ai ishte luftëtari.

Kur ishim të shpërndarë ai na bënte bashkë e kur harronim ai na rikujtonte, prandaj kjo ekspozitë vjen si freskim i kujtesës për të, por edhe rikujtim e reflektim për vetën tonë, për punën dhe rrugëtimin tonë të përbashkët.

Baca Adem i kushtoj gjithë jetën e tij idealit të kombit shqiptar tek i cili ai e gjente edhe vetveten edhe të vërtetën.

Baca Adem e kuptonte se përtej dallimeve që ne kishim, kishte diçka që na bashkonte, e kjo ishte edhe të qenit shqiptar, edhe njerëz liridashës.

Ai e kuptonte se çfarëdo që ne mund të arrinim të vetëm, vetëm të bashkuar mund të arrinim qëllimet e përbashkëta.

Por, bashkimin tonë Baca Adem kurrë nuk e shihte kundrejt ose kundër dikujt tjetër. Gjithmonë e shihte për të mirën e përbashkët, pa dallime, pa diskriminim, pa favorizime, pa privilegje, dhe këtë e bënte në një rrafsh universal. Bashkimin tonë ua dëshironte edhe të tjerëve.

Pra, nuk përçante të tjetër për të na bashkuar neve, por na bashkonte neve për vetën tonë e kundër askujt tjetër. Adem Demaçi ishte vetëmohim me paramendim. Ai e dinte që populli i shtypur ekziston për aq sa reziston. Filloi si gazetar, shkrimtar dhe intelektual i ri, disidenti më emblematik i gjithë Evropës Lindore, e kulmoi si Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së.

Nuk i mohonte të arriturat e të tjerëve, mirëpo vinte theksin tek ajo që ende ngelet e parealizuar.

Nuk kënaqej me pak, sepse gjithmonë besonte se meritojmë më shumë.

Unë nuk mund të them se di më shumë se të tjerët për Bacën Adem, apo se e kam njohur më mirë dhe e kam dashur më shumë se të tjerët, por ajo që di është se ndjej një falënderim të veçantë për njeriun pa të cilin rrugëtimi im do të ishte i pamundur.

Baca Adem është tallur me vdekjen dhe i ka buzëqeshur rrezikut. I qëndrueshëm përtej çfarëdo përfytyrimi dhe frymëzues jashtë cilësdo vetëdije.

Adem Demaçi ka jetuar gjatë dhe shumë, i tillë do jetë edhe ndikimi i tij: i gjatë në ardhmëri dhe i shumtë ndër brezat që do të vijnë.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës bashkë me ministren tonë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ne zotohemi se do të përkujdesemi për botimin dhe shpërndarjen e veprës së plotë të Bacës Adem, të Adem Demaçit.

Ai na e ka lënë mësim jetën e tij, por ka lënë edhe shumë vepra të shkruara të cilat janë aq të rëndësishme për jetën tonë dhe gjeneratat që vijnë.

Faleminderit!

SHPËRNDAJE