Kryeprokurori i SHBA’së i përgjigjet Trumpit: Drejtësia nuk përkulet para presionit politik

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions i është përgjigjur “dhëmb për dhëmb” sulmit të fundit të presidentit Donald Trump ndaj tij, duke këmbëngulur se Departamenti i Drejtësisë që udhëhiqet prej tij nuk do të përkulet përpara presionit politik.

Kundërshtimi i ashpër i Trumpit erdhi pasi shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri komente personale ndaj kryeprokurorit amerikan, gjatë një interviste. Trump ka qenë tejet i ashpër në kritikat e tij drejtuar Departamentit të Drejtësisë. Ai ka qenë veçanërisht i irrituar sa i përket menaxhimit të hetimit mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2016.

Sessions, dikur mbështetës i fushatës së Trumpit, hoqi dorë nga hetimi në fjalë dhe e la atë në kontrollin e zëvendësit të tij, Rod Rosenstein. Ky vendim, por edhe progresi i mëtejshëm i hetimit nën drejtimin e prokurorit special Robert Mueller, ka sjellë shpërthime të shpeshta nga Trumpi, qoftë personalisht, ashtu dhe përmes rrjetit social “Twitter”.

Dy ditë më parë, në zhvillimin më dramatik deri më sot të lidhur me hetimin për ndërhyrjen ruse, ish-shefi i fushatës së Trumpit, Paul Manafort u shpall fajtor për mashtrim bankar dhe evazion fiskal, ndërkohë që edhe ish-avokati personal i presidentit të SHBA-ve, Michael Cohen pranoi fajësinë për akuza që përfshijnë evazionin fiskal, mashtrimin bankar dhe shkelje të ligjit për financimin e fushatës.

“Për sa kohë të jem Prokuror i Përgjithshëm, veprimet e Departamentit të Drejtësisë nuk do të ndikohen për keq nga konsideratat politike, – tha ai në një deklaratë. – Unë kërkoj standardet më të larta dhe, nëse ato nuk përmbushen, atëherë ndërhyj unë”.

Në intervistën e mëhershme për “Fox and Friends”, Trump tha se nuk donte të përfshihej në këto diskutime. “Por, në momentin që kushdo sheh se çfarë po ndodh në Departamentin e Drejtësisë, atëherë unë vendos drejtësi përmes citimeve”.

“Kjo është një ditë shumë e trishtë. Jeff Sessions u tërhoq, ndërkohë që nuk duhej ta kishte bërë këtë. Të paktën duhej të më kishte thënë mua. Edhe armiqtë e mi thonë se Jeff Sessions duhej të më kishte njoftuar për tërheqjen e tij, apo se nuk duhej ta kisha emëruar atë. Ai pranoi detyrën, e më pas tha se nuk mund të bënte detyrën. Pyes veten, çfarë lloj njeriu është ky? E meqë ra fjala, ai ka qenë edhe pjesë e fushatës. E dini arsyen përse i dhashë atë post atij? Sepse besoja te besnikëria e tij, pasi që në fillim ishte mbështetësi im. Ai ishte pjesë e fushatës dhe e di mirë se nuk pati bashkëpunim (me rusët). Edhe ajo që mësuam prej Manafortit dhe Michael Cohen është se nuk ka asnjë bashkëpunim”, deklaroi Trump.

SHPËRNDAJE