Kryetari Bahtiri priti në takim ambasadoren e Holandës Gerrie Willems

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, sot kanë pritur në një takim pune ambasadoren e Holandës në Prishtinë, zonjën Gerrie Willems, me një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, me ç’rast janë njoftuar me situatën e përgjithshme në qytetin e Mitrovicës.

Fillimisht kryetari Bahtiri e falënderoj ambasadoren Willems për vizitën dhe interesimin e saj për tu njoftuar me gjendjen dhe situatën aktuale në komunën tonë.

Kryetari Bahtiri theksoi se me ambasadën Holandeze dhe drejtuesit e saj kanë pasur çdo herë bashkëpunim të shkelqyeshëm, dhe se është i bindur se ky bashkëpunim i mirë midis Mitrovicës dhe përfaqësuesve diplomatik të Holandës në Prishtinë do të vazhdojë edhe më tutje.

Ndërsa ambasadorja Gerrie Willems i tha kryetarit Bahtiri se vazhdimisht ka qenë e interesuar për Mitrovicën, andaj edhe ka ardhur për të parë nga afër se si është gjendja, cilat janë vështirësitë me të cilat ballafaqoheni, veçanërisht që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve si dhe çfarë është perspektiva për të ardhmen.

Në vazhdim kryetari Bahtiri i tha ambasadores Willems se Komuna e Mitrovicës ka qenë një komunë me shumë probleme të pazgjidhura dhe tensione të vazhdueshme, para se ai të zgjidhej kryetar i saj dhe se nga ardhja e tij në krye të Mitrovicës, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht në kuptimin pozitiv.

“Mirëpo, që nga momenti kur jam zgjidhur kryetar, jam angazhuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për ndryshimin e gjendjes për të mirë.

Kam bashkëpunuar ngushtë me të gjithë faktorët e rëndësishëm, lokal dhe në nivelin qendror, si dhe me organizatat e pranishme këtu ndërkombëtare dhe falë këtij bashkëpunimi, Mitrovica sot është një qytet

normal, pa barrikada, pa tensione dhe me rënie të vazhdueshme të krimit e kontrabandës”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Po ashtu kryetari Bahtiri njoftoi të pranishmit edhe me fillimin e shumë projekteve madhore të cilat po realizohen në Mitrovicë, siç janë rregullimet e shtretërve të lumenjëve Ibër dhe Sitnica, krijimi i hapësirave gjelbëruese dhe rekreative për fëmijë në pjesë të ndryshme të qytetit, ndërtimi i shtëpive për

familjet në nevojë, renovimi i stadiumit “Adem Jashari”, ndërtimi i parkut energjik ku do të prodhohen 110 MW energji elektrike përmes 30 turbinave me erë, dhe projekte të tjera të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri në fund shprehi gatishmëri dhe bashkëpunimin e tij të plotë për realizimin e projekteve në të ardhmen në të mirë të qytetarëve.

SHPËRNDAJE