Kryetari Bahtiri priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptarë nga Suedia

Përfaqësuesit, në krye me Hysen Ibrahimi, nga Shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë Papa Kelmenti XI Albani nga Suedia, kanë qëndruar në Mitrovicë me ç’rast janë pritur nga kryetari Agim Bahtiri.

Kryetari Bahtiri ju uroj mirëseardhje dhe gjithashtu i falënderoi për përpjekjet e tyre për të promovuar kulturën dhe letërsinë shqipe në Suedi, duke u treguar suedezëve se ky popull ka vlera dhe vazhdimisht kontribuon për atdheun e vet.

Gjithashtu në këtë takim kryetari Bahtiri të pranishmit i njoftoi për zhvillimet e fundit në komunën e Mitrovicës duke prezantuar disa nga projektet madhore të cilat janë në zhvillim e sipër në qytetin tonë.

“Liqeni Akumulues në Mitrovicës është kthyer në një atraksion të vërtetë turistik ku shumë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës e kanë mundësinë të shijojnë bukuritë mahnitëse të liqenit. Punët në atë pjesë ende nuk kanë përfunduar pasi që aty do të realizohen edhe shumë projekte tjera të cilat me të vërtetë ofrojnë rekreacion për qytetarët. Ndërsa pishinat olimpike “Aqua Park” të cilat kanë filluar të ndërtohen në Mitrovicë, janë tjetër projekt ku qytetarët do të kenë mundësinë të kalojnë sezonin e verës në ambient shumë relaksues”, tha kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri bëri të ditur se qyteti i Mitrovicës vazhdimisht po merr një karakter më të madh zhvillimi dhe do të jetë shumë atraktiv edhe për mërgimtarët dhe për vizitorët e tjerë.

Hysen Ibrahimi, kryetari i Shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë nga Suedia falënderoi kryetarin Bahtiri për pritjen që i është bërë dhe tha se ndihet krenar me të arriturat e komunës së Mitrovicës falë punës së tij të pandalshme.

Të pranishmit u shprehen shumë të kënaqur me punën e mirë që po bëhet në qytetin e Mitrovicës e sidomos në vitet e fundit kur Mitrovica ka marrë një pamje krejtësisht ndryshe e gjithë kjo falë qeverisjes aktuale.

Kryetari i Shoqatës, Hysen Ibrahimi ia dhuroi kryetarit Bahtiri botimin e fundit të librit “Thesari Kombëtar”.

SHPËRNDAJE