Kryetari i Suharekës e lë në ‘lloç’ Grejkocin: Në qytet ndërton sheshin milionësh, në fshat rruga në gjendje të mjerueshme

Derisa kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka filluar ta ndërtojë sheshin e qytetit me vlerë 1.7 milionë euro, fshati Grejkoc ka probleme elementare të rrugës dhe të kanalizimit.

Me datë 6 nëntor në Suharekë ka filluar ndërtimi i sheshit të qytetit i cili kap vlerën prej 1.7 milionë euro dhe që është investim i komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, projekt i cili është nënshkruar me 19 shtator të këtij viti.

Projekti i sheshit në Suharekë

Por disa banorë të fshatit Grejkoc të kësaj komune, janë ankuar pasi që një rrugë tek ta është në gjendje të tmerrshme dhe është e pamundur që të kalohet nga kjo rrugë.

Rruga ‘Xhemajl Tafaj’ është në gjendje të mjerueshme, ku në fotografitë e publikuara në fanpagen ‘Lajme nga Suhareka’, shihet se sa e dëmtuar është dhe përveç saj ajo është krejt baltë dhe kalimi I këmbësorëve është thuajse i pamundur.

Përveç problemit me infrastrukturë që ka kjo rrugë, ajo po përballet edhe me probleme të kanalizimit dhe ujërave të zeza.

Banorët kanë angazhuar një ekskavator që ta sajojnë problemin, mirëpo është e pamundur njëherë pasi që toka është shumë baltë dhe kjo po i paraqet telashe atij, pasi që mund të ngec.

E përderisa në qendër të qytetit rregullohet sheshi milionësh, banorët janë revoltuar me kryetarin e komunës duke thënë se pjesë e qytetit është edhe fshati i tyre.

Kemi kontaktuar me një banor të fshatit ku ka shprehur mllef ndaj kryetarit Muharremaj.

“Kryetari duhet me ditë që pjesë e Suharekës jena edhe na, Suharekë nuk është veç qendra apo qyteti, po Suhareka e kap gjan, deri ne Male te Sharrit. Ai le ta lenë në këtë gjendje, na Grejkoci ja bajna qaren vet“, ka thënë një banor për Metron, i cili ka dashur të mbes anonim.

Ndryshe fshati Grejkoc konsiderohet si njëri ndër fshatrat më të mëdhenj të kësaj komune dhe aktualisht ky fshat ka mbi 500 shtëpi./GazetaMetro

SHPËRNDAJE