Kryetari Jashari falënderon për Epopenë e UÇK-së

Kryetari i Komunës së Skenderajit, Bekim Jashari për nder të 21 vjetorit rënies heroike në altarin e lirisë të Komandantit Adem Jashari dhe familjës së tij, ka falënderuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj, për mbështetje institucionale të aktiviteteve në kuadër të Manifestimit tradicional Epopeja e UÇK-së

Ai poashtu ka falënderuar nga zemra secilin shqiptar, duke shtuar, “Adem Jashari është i të gjithëve!”

Postimi i plotë:

Në përmbyllje të Manifestimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me Natën e Zjarrëve në vendin ku ka rrënjë liria dhe pavarësia e vendit – në Prekazin e shqiptarisë, dhe me koncertin ku edhe nëpërmjet këngës e valleve nga këngëtarët e mirënjohur të estradës shqiptare, u nderua Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe Familja Jashari, në 21 vjetorin e rënies heroike në altarin e lirisë, më lejoni të shpreh falënderimet më të sinqerta për të gjithë shqiptarët që vizituan këto ditë Prekazin dhe Skenderajn.

Dua të falënderoj gjithashtu Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj, për mbështetje institucionale të aktiviteteve në kuadër të Manifestimit tradicional Epopeja e UÇK-së.

Mirënjohje të thellë edhe për udhëheqësit tjerë të institucioneve shtetërore, delegacionet e komunave, familjet e dëshmorëve, veteranët e invalidët e UÇK-së, Policinë e Kosovës, Ushtrinë e Kosovës, komunitetin sportiv, artistik!

Faleminderit nga zemra secilit shqiptar!

Ju ishit ata që madhështuat shënimin e datave historike 5, 6 dhe 7 mars 1998!

Adem Jashari është i të gjithëve!

Zoti e bekoftë popullin shqiptar!