Kryetari Xhafer Tahiri tregon se me kë do të bëjë shumicën në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë

19 nëntori solli ndërrim pushteti në Vushtrri, pas një dekade të qeverisjes nga Partia Demokratike e Kosovës.

Xhafer Tahiri i Lidhjes Demokratike po pret vetëm certifikimin e rezultateve për të marrë detyrën e re nga kryetari në largim Bajram Mulaku, që udhëhoqi këtë qytet për tri mandate, raporton KTV.

Pothuajse në çdo hap, kryetari në ardhje merr urime, por edhe dëgjon brengat e qytetarëve, të cilët presin shumë punë nga ai.

Derisa shprehet i bindur se do të sjellë koncept të ri qeverisës dhe projekte për Vushtrrinë, Tahiri thotë se është i vetëdijshëm për punën e madhe që e pret.

Edhe qytetarët thonë se kryetarin e presin shumë punë. Por kanë shpresë tek ai.

E me gjithë fitoren, partia e Tahirit bashkë me dy partnerët e koalicionit Lëvizjen Vetëvendosje dhe AKR-në kanë 16 nga totali i 35 ulëseve në Kuvendin Komunal.

Për të arritur shumicën prej 18 ulësesh, atyre u duhet së paku edhe një koalicion.

Megjithëse shprehet i gatshëm për bashkëpunim me të gjithë, Tahiri përjashton çfarëdo koalicioni me Partinë Demokratike.

Të hapur për bashkëpunim me Tahirin dhe partnerët e tij janë shprehur Lëvizja për Bashkim, e cila ka dy ulëse në Kuvendin Komunal.

“Megjithëse ende nuk kemi pasur kontakte zyrtare ne jemi të hapur për të qenë pjesë e qeverisjes në Vushtrri”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Avni Klinaku.

Viti 2004 është hera e fundit kur Lidhja Demokratike kishte fituar zgjedhjet lokale në Vushtrri.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE