Kthehet sërish në rigjykim rasti “Medicus”

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin “Medicus”, rreth gjashtë muaj pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që dënoi urologun kosovar Lutfi Dervishi – të dyshuar për transplantimin e veshkave – dhe Sokol Hajdinin – të dyshuar për lëndim të rëndë trupor.

Lajmin e ka konfirmuar për Insajderin, Besnik Berisha, avokati i Lutfi Dervishit.

Në muajin maj të këtij viti, me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Prishtinës Lutfi Dervishi u dënua me 7 vjet e gjysmë dhe një gjobë prej 8 mijë euro, ndërsa me një vit u dënua Sokol Hajdini.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Dënimet erdhën pasi që rasti ndaj tyre ishte kthyer në rigjykim më parë nga një aktgjykim i Gjykatës Supreme. Më parë Dervishi për këtë vepër penale ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Insajderi kishte raportuar në vazhdimësi lidhur me rastin “Medicus”.

Sipas asaj që kishte raportuar gazeta në vitin 2017, ky grup mjekësh dhe trafikantësh tjerë, kishin masakruar djem dhe vajza të reja nga Turqia, Bjellorusia, Kazakistani, Ukraina, Rusia, Moldavia, Izraeli. Blerësit ishin shumica nga Izraeli. Kishte edhe nga Ukraina, Turqia, Polonia, Kanadaja, Gjermania.

Veshkat që ua kishin hequr viktimave, ua kishin shitur pasanikëve të ndryshëm që kishin gjetur mundësinë për të jetuar edhe më tej në këmbim të shumave që arrinin deri në 100 mijë euro.

Mes viktimave të këtij krimi të kryer në pak kilometra nga qendra e kryeqytetit, kishin qenë edhe Anna Russalenko, e Vera Shevdko nga Rusia. Ato, kishin ardhur personalisht në Prishtinë, në klinikën e Lutfi Dervishit. Aty u ishin hequr veshkat, për t’u vendosur në trupat e blerësve në tregun e zi. /Insajderi.com

SHPËRNDAJE