Kur Prishtina ishte më shumë se klub, dhe Vokrri ishte më shumë se lojtar

Shkruan: Valon Murati

1. Në vitet 80’, me hyrjen në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, ekipi futbollistik i Prishtinës, u shndërrua në një platformë më të madhe sesa ajo e sportit. Jo vetëm së rreth saj u mblodhën lojtarët më të mirë shqiptarë të ekipeve të tjera të Kosovës, por lojërat e Prishtinës të dielave ishin një festë kombëtare për gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi. Lojërat e saj, ishin jo vetëm manifestim sportiv, por mbi të gjitha kulturor e politik. Stadiumi i Prishtinës ishte hapësira e vetme publike, ku mblidheshim deri në 30.000 shqiptarë për të zbrazur vullnetet tona, dëshirat tona, synimet tona. Mos të harrojmë, ishte kjo periudha e pas vitit 1981, ku çdo grumbullim më i vogël i shqiptarëve shikohej me dyshim.

2. Prishtinën e kam përcjell që prej vitit 1982. Si 7 vjeçar me babin tim kam qenë në lojën e parë timen në stadium, në duelin e famshëm me Teteksin e Tetovës, dhe e kam përcjell gati çdo lojë deri sa ka ekipi ka ra nga Liga e Parë. Si sot më kujtohen grupet e tifozëve në Prishtinën tonë, që vinin nga Struga, e Gostivari, nga Tetova e Presheva për të mos i përmendur qytetet e Kosovës. Të dielave kur luante Prishtina, qyteti kishte dasmë publike. Ishte koha, kur Prishtina ishte më shumë se klub. Nëse në kohën e Frankos, Barcelona dhe Atletiko Bilbao, ishin edhe simbole të rezistencës anti-fashiste dhe të krenarisë kombëtare katalanase dhe baske, në vitet 80’ të njëjtin rol e luajti Prishtina për shqiptarët në ish-Jugosllavi. Për Prishtinën ishin të gjithë shqiptarët pa dallime, dhe përmes përkrahjes së Prishtinës përçoheshin mesazhet e krenarisë dhe identitetit kombëtar.

3. Prishtina ishte e madhe, sepse ishte më shumë se një ekip, ishte shpresa dhe krenaria e një kombi të nëpërkëmbur. Prishtina ishte e madhe sepse duke përfaqësuar një komb, ajo luante me zemër. Dhe çdo ekip i madh, ka lojtar të mëdhenj, por e ka edhe një lider, një simbol. Dhe ai lojtar i madh, simbol, e lider, ishte një talent i jashtëzakonshëm, ishte Fadil Vokrri. Ai ishte krenaria jonë, ishte idhulli ynë, ishte shpresa se ne mundemi, dimë dhe do ia dalim. Ne u rritëm në kohën e Maradonës, por në rrugët ku luanim futboll, një emër buçiste: Vokrri, Vokrri! Sigurisht, jo vetëm talenti më i madh i gjeneratës së vetë, por besoj edhe futbollisti më i mirë shqiptarë i të gjitha kohërave. E mbaj mend, mburrjen që patëm, kur e kërkoi Juventusi, dhe dëshpërimin që patëm kur për shkak të ligjeve të shtetit të atëhershëm, nuk mund të dilte jashtë shtetit pa e kryer shërbimin ushtarak. Ndonëse karriera e tij do të merrte një kthesë krejt tjetër, ai shkëlqeu edhe me Partizanin, Fenerbashçen e kudo që luajti. I mbaj mend lojërat e tij, driblimin e tij dhe aftësinë për t’u ngritur shpejt në këmbë pas çdo dueli. Por sot, në duelin e fundit të jetës së tij, nuk arriti të ngrihet. Sidoqoftë, frymëzuesi i brezave të tërë sportistësh, do të mbetet përherë në këmbë, për të vazhduar të frymëzojë edhe në të ardhmen.

SHPËRNDAJE