Kur vdekja merret me qira…

Shkruan: Shkumbin Kajtazi

Vdekjen e kemi hak. E kemi dhe borxh që duhet larë. Kështu dëgjon shumë pleq teksa presin për kryeshnosh e përcjellin me urimin për takime në ditë më të mira.

Të gjithë e shohin vdekjen si diçka të afërt, aq sa të ngjitur për trupi. Bile, ‘vdekjen e ki ma afër se këmishën’, thonë pleqtë që nuk besojnë në kujdes por janë të bindur se vdekja vije kurdo.

Por, a i ka shkuar kujt në mend që vdekja edhe mund të blihet? Mua po. Ta zëmë, nëse një maniak i motorëve hipën mbi ‘shpinën e dreqit’, i thonë se e bleu vdekjen. E vdekja, si me shumë forma e mënyra të të ardhurit, unë besoj se di edhe të ofrohet me qira.

Kështu iu servua vdekja 6 kosovarëve brenda muajit korrik, i cili muaj rrit qiradhënien e marrjen vit për vit. Besoj mund ta kuptoni se e kam fjalën për veturat që po merren me qira e të cilat askush nuk i kontrollon.

5 anëtarët e familjes nga Suhareka, që vdiqën në një mënyrë të mistershme sa i përket daljes nga kontrolli i automjetit, ishin viktima të vdekjes me qira. Burri që voziste kishte ardhur nga Zvicra dhe kishte marrë një veturë për vdekje. Po de, me qira.

Një 20 vjeçar nga Mitrovica, po ashtu, ra viktimë e qiramarrjes së dostit të tij, që veturën e mori për gëzim por i doli për kob. Shoferi që shpëtoi kishte ditë gëzimi pasi po priste agimin e ardhshëm për të nisur dasmën dhe për ta lidhur dashurinë me të fejuarën. Dasmës iu shuan tupanat që përsëri do të merreshin me qira. I shuajti qiramarrja. Vetura, pra, e marrë me qira nga kompani të dyshimta.

Po-po, kompani të dyshimta, por jo nga veprimtaria sa nga mënyra e të vepruarit. Si? – do thoni ju. Unë do t’ju thojse se ‘nëse edhe rastisht kalohet afër dhjetëra veturave të parkuara qosheve të rrugëve, vërehet gjendja e mjerë e tyre. Mund të paramendohet në ç’gjendje janë për t’u vozitur’. Kaq e thjeshtë është.

Pavarësisht kësaj, shumica e rrugëve janë të stërmbushura me këso vetura për nga marka luksoze, por nga gjendja mjerane. Shihen edhe reklama që thërrasin për t’i marrë veturat me qira. Ka lloj-lloj thirrjesh dhe veprimesh në këtë biznes, por vetëm kontroll nuk ka.

Shteti, duke ditur se veprimtaria e tyre është mjaft specifike, do duhej të organizonte kontrolle më të shpeshta të këtyre veturave. Madje duhet të vendos kriter mjaft të lartë për kontrollim teknik, e i cili për këto biznese do të duhej të ishte i veçantë.

E përderisa shteti heshtë dhe lejon që biznesmenë matrapazë të ofrojnë vdekjen me qira, dhe të lejojë të tjerë të kontrollojnë veturat ‘shkel e shko’, vdekjet na duhet vetëm t’i numërojmë.

Është i dhimbshëm ky numërim, gjithsesi, andaj po bën shumëkënd të vuajë e gjithkënd të kukas.

Dhe, për fund, ndonëse nuk e besoj dhe aq, vdekja përnjëmend është më afër se këmisha. Veç se këmisha e shoferit të një veture të marrë me qira, është më afër trupit se vetë ‘vdekja e shkruar’.

SHPËRNDAJE