Kurti godet Haradinajn: T’ia rrisësh pagën vetes është vjedhje, e çdo vjedhje duhet të dënohet

Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje Albin Kurti ka hedhur kritika ndaj Qeverisë së Ramush Haradinajt lidhur me rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, një ditë para se Kuvendi të mblidhet për të votuar Projektligjin për Buxhetin.

Kurti ka vlerësuar se çdo vjedhje duhet dënuar, e më së pari ajo e Qeverisë.

Sipas të parit të Vetëvendosjes është e rëndësishme që pagat të rriten, mirëpo jo ato të krerëve të shtetit.

Më poshtë reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje

Sot u bënë një vit prej kur kryeministri Haradinaj dhe qeveria e tij ia dyfishuan pagat vetvetes. Nesër, si pikë e rendit të ditës në seancë plenare është edhe votimi në parim i Projektligjit për Buxhetin për vitin 2019. Cili është kuptimi që Kuvendi të miratojë buxhetin që propozon një qeveri e cila ia rriti pagat vetes edhe me efekt retroaktiv?! Qeveria nuk do Ligj për Qeverinë, në mënyrë që të bazohet në Rregullore, teksa shkel Kushtetutën.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani kishin të drejtë në mendimin e tyre të përbashkët mospajtues 14 faqësh, kur kundërshtuan vendimin e qeverisë për t’ia rritur pagat vetvetes. Ja dy përfundimet e tyre:

66. Ne konkludojmë se Vendimi nr. 04/20 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 20 dhjetorit 2017, nuk është në përputhje me nenet 92 dhe 93 të Kushtetutës, sepse as nuk “zbaton një ligj” dhe as nuk është një “propozim”.

67. Më tutje ne konkludojmë se rrjedhimisht Vendimi nr. 04/20 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 20 dhjetorit 2017, cenon kompetencat e Kuvendit të përcaktuara në nenin 65.5 të Kushtetutës, duke afektuar kështu balancimin dhe ndarjen e pushteteve të përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës.

Qeveria nuk kishte bazë ligjore, ra në kundërshtim me ligjin dhe cenoi Kuvendin.

T’ia rrisësh pagën vetes është vjedhje. Sepse vjedhja nuk është vjedhje meqë bëhet tinëz, por për shkak se është vjedhje. E, çdo vjedhje duhet të dënohet. E, më së pari ajo e qeverisë.

Është e nevojshme që pagat të rriten në vendin tonë. Por, jo ato të krerëve të shtetit dhe qeveritarëve. Ndërkohë paga minimale në Kosovë ngelet 170 euro për të gjithë qytetarët mbi 35 vjeç, dhe vetëm 130 euro për ata nën këtë moshë!

SHPËRNDAJE