Kurti i reagon Grenellit, e quan kauboj dhe thotë se çfarëdo marrëveshje në Washington është e pavlefshme

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LVV, Albin Kurti, i ka reaguar të dërguarit të posaçëm të presidentit të SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell pas njoftimit të këtij të fundit për takimin mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Veriu.Info

Në një reagim në Facebook, Kurti la të nënkuptojë se kjo ftesë për takim në Washington është në kuadër të fushatës së zgjedhjeve në Amerikë dhe tha se Grenell po kërkon, siç u shpreh ai, një sukses të orëve të fundit.

Tutje, Kurti akuzoi Grenellin se po sillet sikur “një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës”.

Ish-kryeministri i Kosovës, i cili kishte pasur përplasje të ashpra me zyrtarë të lartë amerikanë sa ishte kryeministër për shkak të bindjes së tij se qëllimi i takimit në Shtëpinë e Bardhë në atë kohë ishte që mbi territorin e Kosovës të vendosen thikat për ndarje territoriale, shkroi se qëllimi i këtij takimi në SHBA është ndonjë kompromis i dhimbshëm për Kosovën dhe se çfarëdo marrëveshje atje është e pavlefshme. /Veriu.Info

Statusi i plotë:

Rreth 80 ditë kanë ngelur deri te zgjedhjet e reja në ShBA ku Presidenti Donald Trump përballet me kandidatin demokrat Joe Biden. Fushata atje po intensifikohet ende pa filluar zyrtarisht.

Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C. Ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Ai pardje kritikoi z. Biden që “premton se problemet e botës do t’i bëjë përgjegjësi të ShBA-ve”, kurse sot vetë ai bëri thirrje për negociata midis Kosovës e Serbisë.

Grenell është i njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as diskutuar ndonjëherë për ‘shkëmbim territorial’. Pastaj akuzonte ish Këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, të Kosovës e të Serbisë.

Në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një cowboy i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës.

Në njoftimin e tij, Grenell tanimë nuk flet për dialog por për negociata. E, negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë.

Prioritete të Kosovës duhet të jenë luftimi i pandemisë COVID-19, pra, dalja nga kriza shëndetësore; luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë, pra drejtësia shtetërore; dhe, zhvillimi ekonomik e shoqëror, pra punësimi, sidomos i rinisë dhe grave. Qeveria aktuale e Kosovës po dështon në secilin rrafsh.

Sa i përket Serbisë, ne mund të dialogojmë si shtete fqinje, bazuar në parimin e reciprocitetit, dhe pas përgatitjeve të duhura e me transparencë të plotë.

Ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata të thirrura për 2 shtator nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë. Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen.

Rreth 80 ditë kanë ngelur deri te zgjedhjet e reja në ShBA ku Presidenti Donald Trump përballet me kandidatin demokrat…

Publiée par Albin Kurti sur Vendredi 14 août 2020

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE