Kurti ia kujton Thaçit marrëveshjen me Daçiqin që krijoi Listën Srpska, Asociacionin…

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka rikujtuar Presidentit Hashim Thaçi gjashtë vjetorin e ratifikimit të marrëveshjes së tij dhe Daçiqit që krijoi Listën Srpska e Asociacionin. Ai e ka quajtur këtë ditë si ditë të kthesës teposhtë, derisa ka thënë se kësaj marrëveshje i mungonte transparenca në proces, përgatitja në tema, legjitimiteti në popull, llogaridhënia në Kuvend, kredibiliteti në ekip dhe autoriteti në udhëheqje.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë së marrëveshja Thaçi-Daçiq formoi Listën Serbe edhe Asociacionin, derisa tha se 27 qershori i 2013’ës ishte ditë e zbaticës së madhe në shtetndërtimin demokratik të Kosovës.

“Sot u mbushën gjashtë vjet nga ratifikimi i marrëveshjes Thaçi-Daçiq, më 27 qershor 2013. Kuvendi i Kosovës atë ditë ishte i rrethuar e i mbushur me policë, kurse të nesërmen e këtij ratifikimi me 84 vota, Këshilli Evropian mori vendim për çeljen e negociatave për anëtarësim me Serbinë. U vërtetua ajo që thoshim ne: dialogu Kosovë-Serbi nuk ka për prioritet integrimin evropian të Kosovës por anëtarësimin e Serbisë në BE”, ka shkruar Kurti.

Ky është postimi i tij i plotë:

Pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje më 19 prill 2013 me Daçiqin në Bruksel, asokohe kryeministër, Thaçi deklaroi: “Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton. Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës, e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial.” Ndërkaq, në fjalimin e tij tha se: “Me këtë marrëveshje do të normalizojmë dhe funksionalizojmë gjendjen në vendin tonë. (…) Kosova përfundimisht me marrëveshjen e djeshme po hyn në epokën e normalitetit.”

Dialogu për normalizim nuk e ka normalizuar as dialogun. Sepse premisa ishte e gabueshme: të merremi vesh për të ardhmen e raporteve paçka se nuk pajtohemi as për faktet nga e kaluara.

Marrëveshja Thaçi-Daçiq edhe formoi Listën Serbe edhe përcaktoi 3 nëntorin 2013 për datë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Ndërkaq, 27 qershori 2013 i ratifikimit të asaj marrëveshjeje e shpinte më tej kundërmocionin e PDK-së kundër reciprocitetit me Serbinë, të datës 20 janar 2012, duke betonuar raportin asimetrik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shumëçka i mungonte asaj marrëveshjeje: transparenca në proces, përgatitja në tema, legjitimiteti në popull, llogaridhënia në Kuvend, kredibiliteti në ekip, autoriteti në udhëheqje…

Shumëçka i tepronte asaj marrëveshjeje: nga 15 pikat e saj, 6 të parat i kushtoheshin ekskluzivisht krijimit të ‘Zajednicës’.

Me pikën e parë themelohej Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe si dhe e drejta e vetos së saj për zgjerim.

Në pikën e dytë instalohej e drejta e vetos e këtij Asociacioni/Bashkësie për shpërbërje. Presidenti mund ta shpërbëjë Kuvendin por jo edhe këtë Asociacion/Bashkësi. Kryeministri njësoj, mund të shpërbëjë Qeverinë përmes dorëheqjes së tij, por ai nuk mund ta shpërbëjë edhe këtë Asociacion/Bashkësi.

Pika e tretë fliste për president, zëvendëspresident, kuvend dhe këshill, që do të thotë për organe të larta të entitetit autonom që e quanin Asociacion/Bashkësi.

Në pikën e katërt flitej për kompetenca në zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi dhe planifikim urban e rural.

Pika e pestë krijonte mundësi për rritje kompetencash për Asociacionin/Bashkësinë, por jo edhe për zvogëlim të tyre.

Pika e gjashtë thoshte se Bashkësia/Asociacioni duhet të ketë një përfaqësues në autoritetet qendrore. Përfaqësuesi i këtillë bëhej personifikimi i vetos serbe.

27 qershori 2013 ishte ditë e zbaticës së madhe në shtetndërtimin demokratik të Kosovës.

Ata që kishin të drejtë duhet të drejtojnë.

SHPËRNDAJE