Kurti: Kosova tani mund t’i dënojë në mungesë kriminelët e luftës

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se tani Kosova mund t’i dënojë kriminelët e luftës në mungesë 20 vjet pas luftës.

Plotësim ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale u miratua sot në Kuvendin e Kosovës me 65 vota për, tri kundër dhe dy abstenime.

“Tash e kanë fjalën prokurorët specialë Drita Hajdari, Vladet Gashi dhe Enver Krasniqi. Më në fund, 20 vjet pas çlirimit, edhe shteti ynë ka mundësi që të akuzojë, gjykojë e dënojë në mungesë kriminelët e luftës”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti tha se tani Kosova po i bashkohet Kroacisë në të drejtën për të përndjekur kriminelët e luftës kudo që ata janë e jo vetëm nëse ndodhen në territorin e vendit tonë.

“Paraprakisht kaloi amandamenti për nenin 346 A, i cili ishte formuluar dhe propozuar nga deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu. Kësisoj Kosova i bashkohet Kroacisë”.

SHPËRNDAJE