Kurti: Kushtetutën e Kaçanikut e përpiluan mendjet më të ndritura shqiptare

epa06012098 Albin Kurti, parliamentary elections Prime Minister candidate and founder of the biggest opposition party Selfdetermination (Vetevendosje) attends an electoral rally in Mitrovica, Kosovo, 05 June 2017. Kosovo's early elections will be held on 11 June 2017. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar një status të gjatë në llogarinë e tij në Facebook rreth Kushtetutës së Kaçanikut të shpallur para 27 vjetësh, me shtatë shtator 1990.

Kurti e ka krahasuar atë kushtetutë, që sipas tij u shkrua nga mendjet më të ndritura të asaj kohe, me këtë të tanishmen që e ka Kosova, për të cilën ka thënë se tenton ta harrojë historinë e Shqiptarëve.

Shkrimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut

Më 7 shtator të vitit 1990, në rrethana tejet të vështira, të mbledhur në Kaçanik, deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atë që njihet nga populli si “Kushtetuta e Kaçanikut”, një tekst i përgatitur prej akademikëve më të shquar të fushës së ligjit e të së drejtës, nën drejtimin e profesorit Gazmend Zajmi.

Në atë ekip që e hartoi Kushtetutën e Kaçanikut bënin pjesë figurat më solide të studimit shkencor e thellimit filozofik të jurisprudences. Në mesin e tyre duhet theksuar Prof. Dr. Ejup Statovci, i cili përgjatë viteve të ’90-ta udhëhoqi Universitetin e Prishtinës, edhe si rektor edhe në ballë të protestave studentore.

Të gjithë ata dijetarë të mirëfilltë e njihnin themelin e domosdoshëm për një sistem demokratik e çlirimtar kushtetues. Kjo bëhet e qartë që në hapjen e preambulës së Kushtetutës së Kaçanikut ku shkruhet: “Duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar dhe të pjesëtarëve të nacionaliteteve të tjera të Republikës së Kosovës”.

Kjo hapje e preambulës e bazon rendin dhe logjikën kushtetuese në historinë e në traditën e vetë kombit që vendos të vetëqeveriset. Ndryshe nga preambula e Kushtetutës aktuale, e cila fillon kësisoj: “Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i gjithë qytetarëve të vet”.

Sigurisht, një Kushtetutë e shkruar prej kushedi se cilit ekspert mesatar, rekrutuar prej kushedi se cilit vend, përmes amalgamës shumëkombëshe që mbikëqyr qeverisjen si sovran i vërtetë në Kosovën josovrane e jodemokratike, nuk mund të njohë historinë dhe traditën e kombit tonë. Liria e demokracia sipas atyre janë “risi” që ne do i përjetojmë pasi t’i importojmë prej së jashtmi, e jo ideale e praktika të kahmotshme, si në mesin e bashkësive tona popullore, rurale a urbane, ashtu edhe në mesin e Lëvizjeve të shumta përparimtare, të mëdha e të vogla, legale e ilegale, që e mbajtën gjallë kombin shqiptar edhe në ditët më të vështira, kur sunduesi synonte asimilim e spastrim e kur elita kolaboracioniste kërkonte kompromis, dialog e pajtim pa drejtësi.

Mosnjohja e mospranimi i historisë shfaqet si një lloj besimi tek një e ardhme totalizuese, e cila në fakt e bën vetë logjikën e drejtësisë, që duhet të kushtetojë kushtetuta, të pamundur. Pse? Sepse çfarë vallë mund të jetë drejtësia, përpos një drejtësie mbi të shkuarën? Në një vend imagjinar pa histori, nuk mund të ketë as sistem drejtësie, as kushtetutë, as ligje e as gjykata. Sepse asnjëra prej tyre nuk mund të gjykojë të ardhmen.

Themelimi absurd i Kushtetutës së Kosovës tek e ardhmja, duke synuar harrimin dhe kapërcimin e historisë të kombit, pamundëson edhe të tashmen. Sepse secila e tashme në të ardhmen do të jetë e shkuar, pra histori, e kjo Kushtetutë nuk e njeh një të tillë.

Filozofi gjermano-hebre, Ëalter Benjamin, një nga themeluesit e teorisë kritike, në esenë e tij të famshme “Mbi Konceptin e Historisë” i kritikon ata që për hatër të një farë pedagogjie pseudoemancipuese fshijnë historinë. Ai shkruan se harresa e historisë sjell me vete edhe harresën e urrejtjes për shtypjen e shtypësit, por edhe harresën e shpirtit të sakrificës e të rezistencës. E pikërisht këto të dyja janë elementet e domosdoshme për të çuar përpara procesin e emancipimit të një populli. Siç thotë Benjamini, përpjekja për emancipim “ushqehet veç nga mbamendja e vuajtjeve të gjyshërve të skllavëruar, e jo nga ideali për nipër të emancipuar”.

Prandaj përpjekja për harresë, që institucionalizohet në Kushtetutën e sotme të Kosovës, e cila nuk njeh as kombin shqiptar si shumicë autoktone në Kosovë e as historinë e përpjekjet e tij, është një përpjekje anti-emancipuese, edhe pse maskohet si emancipuese përmes një gjuhe të korrektesës politike. Cektësia e korrektesës politike mendon se po të mos përmenden pakicat, ato do të pushojnë së qeni të tilla. Por, situata e pafavorshme e secilës pakicë joserbe, e madje edhe një pjese të konsiderueshme të vetë serbëve, e ekspozon edhe mashtrimin e kësaj formule hileqare.

Kushtetuta e Kaçanikut që në preambulën e saj e bën të qartë se Kosova i takon kombit shqiptar dhe minoriteteve të tjera, të cilave u garanton të drejta të plota komunitare e individuale. Në anën tjetër, preambula e Kushtetutës së sotme mbyllet me tre zotime afatshkurtra e afatmesme gjeopolitike, dhe me një shpallje, të cilat sipas radhës janë këto:

“Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje;

Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në botë;

Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike,

Në mënyrë solemne miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”

Kjo më shumë ngjan si një dokument strategjie afatmesme nga Ministria e Jashtme apo ajo e Mbrojtjes, e jo si një preambulë Kushtetute. Në asnjë kushtetutë prej vendeve që mund t’i marrim si model në shtetformim, nuk vendosen synimet e politikës dhe gjeopolitikës aktuale, sado emergjente të jenë ato. Sidomos, nuk vendosen në preambulë, e cila është vendi ku renditen parimet filozofike të së drejtës së popullit sovran për të kushtetuar vetveten. E shpallja solemne në fund të Kushtetutës aktuale është shumë zemërngushtë, refleksion i egoizmit e jo i përfaqësimit. Deputetët e shpallin Kushtetutën në emër të tyre, e jo në emër të popullit, përfaqësues të të cilit janë në Kuvend.

Edhe në këtë aspekt preambula e Kushtetutës së Kaçanikut qëndron me dinjitet, shumë më e avancuar se kjo e sotmja. Ajo mbyllet me këto tre konstatime e këtë shpallje:

“Duke realizuar dëshirën që sipas vendimit të lirë vetanak të vazhdojë rrugën e demokracisë, të drejtësisë shoqërore, të paqes e të miqësisë midis popujve;

Duke u nisur nga përcaktimi se vullneti i popullit është baza e pushtetit shtetëror, vullnet të cilin ai e ka shprehur në mënyrë plebishitare për vetëpërcaktimin e subjektivitetit të tij politik-juridik;

Duke garantuar të drejta të plota të njeriut dhe të qytetarit për të gjithë qytetarët,

Kombi Shqiptar i Republikës së Kosovës në pajtim të plotë me parimet e demokracisë dhe të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje dhe duke u bazuar në Deklaratën e Pavarësisë së 2 korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës nxjerr Kushtetutën”.

Po pra. Sepse populli nuk vendos të jetë i pavarur meqë dëshiron të anëtarësohet në organizata transnacionale, por sepse dëshiron lirinë vetanake me demokraci, drejtësi e paqe. Kushtetuta nuk shkruhet meqë dëshirojmë të përfshihemi në procese specifike e partikulare historike, por sepse kemi vullnetin dhe subjektivitetin popullor për të themeluar një singularitet që synon të bëhet pjesë e universales, përmes parimeve fisnike si ato të përmendura në Kushtetutën e Kaçanikut.

Sot e kësaj dite Kushtetuta e Kaçanikut mbetet një dokument model. Atë që ishin në gjendje ta bënin ata dijetarë e ata deputetë-aktivistë në kushtet e shtypjes së thellë dhe apart’heidit të gjerë, nuk qenë kurrë në gjendje ta bënin ekspertët mediokër e deputetët-sekserë në kushtet e çlirimit.

Por, ky regres historik nuk duhet të na lërë në dëshpërim. Jemi ne ata që i zgjedhim modelet tona, dhe jemi ne që do të mund t’i bëjmë realitet ato, përmes angazhimit. Kushtetuta e Kaçanikut është njëri ndër modelet që na frymëzojnë, dhe i falënderojmë nga zemra ata që na e mundësuan të kemi një dokument të tillë në historinë tonë, të Kosovës shqiptare e të qytetarëve të saj.

SHPËRNDAJE