Kurti në Gllogjan: Dheu i Kosovës as nuk falet as nuk shitet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me një delegacion të VV-së kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan me rastin e 20 vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.Kurti, kujtoi me nderim 24 marsin e 1999.

“Mirëpo saktësisht një vit para bombardimeve të NATO-s nisi Epopeja e Dukagjinit, nisi kushtrimi i lirisë dhe lufta çlirimtare në Dukagjin. Sot, ne me nderim dhe respekt të thellë kujtojmë burrat, gratë e të rinjtë, pleqtë e fëmijët, që nuk janë më në mesin tonë dhe të cilët na e përkujtojnë se historia nuk kalon”, tha Kurti.

I pari i VV-së ka thënë se toka e Kosovës është e larë me gjakun e dëshmorëve.“Ashtu sikurse dikur që çlirimi nisi prej nesh e nga brenda e më pas u ndihmua prej jashtë e nga të tjerët njësoj edhe sot zhvillimi duhet të fillojë prej nesh e nga brenda që të ndihmohet prej të tjerëve e nga jashtë”, shtoi ai.

“Lavdi gjithë dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit shqiptar! I lehtë ju qoftë dheu i Kosovës e i tokës shqiptare që as nuk falet e as nuk shitet!”, përfundoi Kurti.

SHPËRNDAJE