Kurti: Tash, populli po na don si asnjëherë më parë

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje (VV), Albin Kurti ka vizituar sot qytetin e Prizrenit, me ç’rast ka folur për dashurinë që populli i Kosovës, sipas tij, po e shpreh kundrejt Vetëvendosjes.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se populli i Kosovës “po na don si asnjëherë më parë”.

“Populli nuk të do nëse nuk e don. Populli nuk të braktis, pa e braktisur ti njëherë atë. Neve populli na ka ndihmuar shumë, jo vetëm duke marrë pjesë aktivisht në protesta: prej mikpritjes nëpër shtëpitë e tyre për tubimet e shumta që i zhvillonim, apo qiratë falas për zyrat tona, e deri te votat në zgjedhje e qepët në demonstrata që na i hidhnin nga ballkonet”, ka shkruar Kurti.

Ish-kryetari i Vetëvendosjes ka thënë se 11 qershori, dita e mbajtjes së zgjedhjeve të radha parlamentare, do të jetë dita e fitores së Vetëvendosjes.

“Tash, populli po na don si asnjëherë më parë. Ne duhet ta duam popullin më shumë se kurdoherë. 11 qershori është ditë me zemër, ditë e dashurisë, ditë e fitores së dashurisë, ditë e fitores së popullit tonë të dashur”, deklaroi Kurti. /Insajderi

SHPËRNDAJE