Kurti: “Zajednica” dhe “shkëmbimi territorial” janë përpjekje e njëjtë për ndarjen e Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në facebook tha se “Zajednica” dhe “shkëmbimi territorial” janë emra të ndryshëm të përpjekjes së njëjtë të Beogradit për ndarjen e Kosovës.

Ai citoi një paragraf nga libri “Standardet dhe Statusi” i Joachim Ruecker, ku flitet për idenë e ndarjes së Kosovës që nga koha e decentralizimit.

Kurti përfundoi postimin e tij duke thënë se projektet e Serbisë janë të vjerta, me koncesione të reja.

Ky është postimi i tij i plotë:

Kur duket që një situatë nuk po ndryshon për një kohë të gjatë, ka mundësi që bëhet fjalë për një kthim prapa që tashmë ka ndodhur.

Teksa lexoja librin “Standardet dhe Statusi” të ish PSSP-së, Joachim Ruecker, më përkujtohet se dikur decentralizimi etnik, ndërkaq sot ‘Zajednica’ dhe ‘shkëmbimi territorial’, janë emra të ndryshëm të përpjekjes së njëjtë të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Ja një paragraf nga faqja 61 e këtij libri:

“Në lidhje me çështjen e decentralizimit, e cila ishte shumë e diskutueshme, plani kërkoi të pajtojë kërkesat e kundërta. Fillimisht, Koshtunica kërkoi ndarjen e plotë të Kosovës, e cila parashikonte copëtimin e saj territorial përgjatë vijave etnike. Kjo kërkesë u rrëzua gjatë negociatave dhe në vend të kësaj Beogradi propozoi krijimin e 12 komunave me shumicë serbe në Kosovë, pjesërisht të lidhura gjeografikisht, me një nivel të lartë të autonomisë, lidhje të forta ndër-komunale dhe lidhje të drejtpërdrejta institucionale me Beogradin.”

Projektet e Serbisë janë të vjetra. Me koncesione të reja, Kosova po shtyhet prapa.